• e hënë, 23 dhjetor 2024

"Xherusalim post": Kabineti ushtarak izraelit do të diskutojë për propozimin e Egjiptit për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës 

Tel Aviv, 25 dhjetor 2023 (MIA) - Kabineti ushtarak izraelit sot do të diskutojë për propozimin e Egjiptit për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, njoftoi "Xherusalim Post", transmetoi DPA.

Mediat izraelite raportuan mbrëmë se autoritetet izraelite kanë kumtuar se Egjipti paraqiti një propozim të ri për armëpushim dhe lirimin e një numri shtesë të pengjeve izraelitë në Rripin e Gazës.

Kryeministri Benjamin Netanjahu dje theksoi se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa lëvizja islamike palestineze Hamas të mposhtet plotësisht.

Propozimi i Egjiptit parashikon përfundimin e luftës në disa faza. Faza e parë përfshin një armëpushim prej të paktën dy javësh, gjatë së cilës Hamasi pritet të lirojë 40 pengje izraelite. Në këmbim, Izraeli duhet të lirojë 120 të burgosur palestinezë. Pas ksaj do të pasojë faza e dytë, e cila propozon negociata palestineze të ndërmjetësuara nga Egjipti. Faza e tretë kërkon një armëpushim të plotë dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve. Faza përfundimtare përfshin edhe tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës, duke lejuar të gjithë banorët e Gazës të zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre", transmetoi DPA. ls/

Foto: Arkiv 

 

QËNDRONI TË LIDHUR