XH.D. Vens: Nëse rusët i hedhin poshtë negociatat, kjo do të jetë shumë, shumë keq për ta
- Presidenti amerikan Donald Tramp po bëhet gjithnjë e më i paduruar ndaj Rusisë, pasi Kremlini refuzon të punojë për një marrëveshje paqeje, tha mbrëmë zëvendëspresidenti amerikan Xh.D. Vens, shkruan "Kiev Independent".
- Post By Sara Ademi
- 10:40, 25 shtator, 2025
Nju Jork, 25 shtator 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp po bëhet gjithnjë e më i paduruar ndaj Rusisë, pasi Kremlini refuzon të punojë për një marrëveshje paqeje, tha mbrëmë zëvendëspresidenti amerikan Xh.D. Vens, shkruan "Kiev Independent".
"Besoj se presidenti po bëhet tepër i paduruar për momentin ndaj rusëve sepse nuk mendon se ata po ofrojnë mjaftushëm në tryezë për t'i dhënë fund luftës", deklaroi Vens para gazetarëve në Karolinën Veriore.
Deklarata e Vensit erdhi një ditë pas takimit mes Trampit dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në margjinat e Asamblesë së përgjithshme të KB-së. Edhe pse lideri amerikan paraprakisht i bëri thirrje Ukrainës të bëjë lëshime ndaj Rusisë, pas takimit me Zelenskin, ai sinjalizoi se Kievi mund ta kthejë gjithë territorin e tij, duke marrë parasysh atë që Moska refuzon t'i ndërprejë konfliktet.
"Pasi u njoha dhe e kuptova plotësisht situatën ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës/ Rusisë, dhe pasi i pashë problemet ekonomike që ajo ia shkakton Rusisë, mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në një pozitë të luftojë dhe ta KTHEJË gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale", shënoi Trampi pardje në platformën e tij Truth Social.
Vens theksoi se SHBA është përfshirë në "negociata tepër të mira si me rusët ashtu edhe me ukrainasit", ndërsa Moska vazhdon të refuzojë.
"Trampi dëshiron që kjo luftë të përfundojë dhe bën gjtihçka që mundet për ta parandaluar. Por, shikoni, nëse rusët refuzojnë të negociojnë me qëllim të mirë, mendoj se kjo do të jetë shumë, shumë keq për vendin e tyre. Kjo është ajo që presidenti e ka bërë të qartë", tha Vens.
Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për ndryshimin e qëndrimit, por për "njohjen e realitetit të terrenit", ndërsa Uashingtoni vazhdon të punojë për t'i dhënë fund luftës.
"Presidenti është bindur shumë se kjo luftë është e keqe për Rusinë. Unë e them këtë gjatë gjithë kohës. Dhe presidenti e thotë këtë gjatë gjithë kohës. Lufta është e keqe për Rusinë. Është e keqe për Ukrainën. Është e keqe për Amerikën. Ne duam që vrasjet të ndalen. Ky mbetet qëndrimi i presidentit", tha Vens.
Trampi më parë e ka theksuar marrëdhënien e tij të mirë me Putinin si një faktor kyç në ndihmën e SHBA-së për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje. Megjithatë, pavarësisht thirrjeve të tij, Rusia ka refuzuar të ndërpresë armiqësitë, duke e bërë Trampin të shprehë gjithnjë e më hapur zhgënjimin e tij.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik Kir Starmer më 18 shtator, Tramp tha se Putini e kishte "zhgënjyer".
"Kjo luftë është ajo që mendova se do të ishte më e lehtë për t’u përfunduar për shkak të marrëdhënies sime me presidentin Putin. Por ai më zhgënjeu. Më zhgënjeu vërtet", tha Tramp.
Ndërkohë, sekretari i shtetit i SHBA-së, Marko Rubio, u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së më 24 shtator, pas së cilës i bëri thirrje Lavrovit të "ndalojë vrasjet" dhe të rifillojë bisedimet e paqes me Ukrainën. sa/
foto: EPA