• e hënë, 23 dhjetor 2024

Vujçiqi për MIA-n: Është mirë që bankat në Maqedoni kanë model tradicional, kjo i bën më pak të ekspozuara ndaj krizave

Vujçiqi për MIA-n: Është mirë që bankat në Maqedoni kanë model tradicional, kjo i bën më pak të ekspozuara ndaj krizave

Shkup, 25 mars 2023 (MIA) - Bankat në Maqedoni janë të mirëkapitalizuara dhe kanë model konservator, gjë që është e mirë meqë i bën më pak të ekspozuara ndaj krizave. Ekspozimi i tyre ndaj çdo mundësie të infektimit në sektorin financiar është më i ulët, vlerëson guvernatori i Bankës Qendrore të Kroacisë, Boris Vujçiq, në video-intervistën ekskluzive për MIA-n.

Sa i përket ekonomisë maqedonase, Vujçiqi konsideron se është mirë që ajo është e hapur dhe, sipas tij, duhet insistuar në këtë. Në afat të shkurtër, siç thekson ai, mund t'i ndjeni ndikimet nga jashtë, por për këtë arsye në afat të mesëm dhe afatgjatë përfitimet janë të mëdha.

- Është mirë që ajo është shumë e hapur në raport me vendet e rajonit, gjë që në fund të fundit mundëson rritje më të lartë të produktivitetit në periudhë afatmesme dhe afatgjate. Megjithatë, në afat të shkurtër mund të ketë më shumë ndjeshmëri për atë që po ndodh jashtë, gjë që e pamë se edhe ndodhi. Megjithatë, është ende e nevojshme të insistohet në hapjen e ekonomisë dhe në tërheqjen sa më të madhe të investimeve, sepse pavarësisht se në një periudhë afatshkurtër kjo mund të bëjë që ekonomia të jetë më e ndjeshme, në afat të mesëm dhe afatgjatë, me siguri është e mirë për rritjen", shprehet Vujçiq.

I pyetur se kur mund të presim një zbutje të politikës monetare, Vujçiq thotë se kjo do të varet nga zhvillimi i inflacionit.

"Ne jemi ende në regjimin e rritjes së normave të interesit si BQE dhe duke marrë parasysh pikëpamjet tona për inflacionin këtë vit dhe vitin e ardhshëm nëse nuk ka probleme në sektorin financiar që do të çonin në një shtrëngim të kushteve të financimit pa ndryshim të politikës monetare për shkak të problemeve të mundshme, që shpresoj dhe pres që të mos ndodhë, ne do të duhet të vazhdojmë rritjen e normave të interesit për të ulur inflacionin. Sigurisht që nuk do të flasim për mundësinë e uljes së normave të interesit këtë vit, e kjo më tutje varet nga ajo se sa shpejt do të ulet inflacioni drejt synimit tonë prej dy për qind. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më shpejt mund të presim zbutje të politikës monetare", thekson Vujçiqi.

Intervistën me video material e transmetojmë të plotë:

Z. Vujçiq, jeni në Shkup me shkas. Jeni kryetar i Iniciativës së Vjenës, një ngjarje që u mbajt në Shkup, e nikoqire është Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut. Si guvernator i Bankës Popullore Kroate dhe si njohës i mirë i gjërave, do të doja ta nisja intervistën me zhvillimet aktuale në sektorin bankar. Pas rënies së bankës në Luginën e Silikonit dhe zhvillimeve me Credit Suisse. A ka rrezik që kriza të përhapet edhe në banka tjera në Evropë dhe në rajon?

"Do të thosha se këto dy raste janë krejtësisht të ndryshme nga situata e përgjithshme e sektorit bankar në Evropë. Sa i përket bankës amerikane, atje nga njëra anë pati lëshim

rregullator me atë që një bankë e tillë nuk trajtohej si bankë sistemore, nuk iu nënshtrua stres testeve që ne i bëjmë në bankat dhe mbikëqyrje të shtuar siç kanë bankat sistemore. Vetëm pasi dështoi, de fakto mori statusin e bankës sistemore kur janë të garantuara të gjitha depozitat në atë bankë. Ishte kjo një bankë që kishte një strukturë atipike, kishte mbi gjysmën e aktiveve të përgjithshme në letrat amerikane me vlerë, gjë që nuk është karakteristike për funksionimin bankar. Nga ana tjetër, ka pasur rritje të shpejtë të depozitave, në çka siç duket nuk kanë reaguar me kohë dhe kjo solli deri te falimentimin i asaj banke.

Sa i përket Credit Suisse, prej kohësh ka probleme me ristrukturimin dhe modelin afarist dhe kjo nuk është diçka që na ka befasuar, sepse dihej se banka ka probleme nga të cilat siç duket nuk ka arritur të dalë. Ajo në radhë të parë ka pasur probleme me veprimtarinë e saj investuese bankare, që nuk është tipike për veprimtarinë investuese bankare në Evropë, e veçanërisht jo në rajon, kështu që do të thosha se këto janë raste që nuk do të kenë rreziqe tipike të sistemit bankar në Evropë, e veçanërisht në rajoni, si në Maqedoni, e cila ka një model tradicional, konservator të veprimtarisë bankare, dhe në këtë kuptim nuk do të thotë asgjë në kuptimin e paralajmërimit të çfarëdo problemi në sistemin bankar.

Pas dy dekadash inflacioni të ulët, bota u përball me inflacion të lartë. Nga aspekti i rajonit, kur mund të presim tejkalimin e krizës dhe çfarë mund të bëjnë kreatorët e politikave që të mos na përsëritet kjo?

"Tashmë jemi në një situatë ku pas një periudhe të gjatë të inflacioni të ulët, inflacioni është rikthyer fuqishëm, ku kemi shifra dyshifrore të inflacionit në vitin 2022 dhe sigurisht në një situatë të tillë politika monetare duhet të ndryshojë, respektivisht duhet të kalojë nga ekspansive në kufizuese, që do të thotë se normat e interesit duhet të rriten dhe kjo do të thotë që emetimi i likuiditetit duhet të jetë më i vogël sesa ka qenë më parë, respektivisht duhet të vjen deri te tërheqja e likuiditetit. Kjo gjithsesi çon në rritje të shpenzimeve të huamarrjes ashtu siç politika monetare reflektohet në treg, siç e shohim se ndodh edhe në fund përmes ngadalësimit të konsumit vjen deri te rënia e inflacionit. Ky është një komponent i inflacionit. Komponenti tjetër është pasojë e goditjeve globale në kahun e ofertës, në radhë të parë të rritjes së çmimeve të energjisë, e më pas të ushqimeve, ku politika monetare ka shumë më pak ndikim, pra është disi globale, por ato kombëtare nuk mund ta luftojnë. Ne kishim kombinim të rritjes së inflacionit edhe për shkak të tronditjes në anën e ofertës (rritje të çmimeve të energjisë dhe ushqimit dhe problemet në zinxhirët e furnizimit), por kjo ngadalë u rrit në gjithnjë e më shumë faktorë në anën e kërkesës që vepruan inflacioni të vazhdojë të rritet. Nga njëra anë, pagat që rriten edhe kur rritet inflacioni, atëherë punëtorët dhe sindikatat kërkojnë që pagat të mbahen në përputhje me inflacionin, e më pas vijmë tek ajo që, nëse kujtojmë nga koha e Jugosllavisë, një zinxhir kur rriten pagat, rritet edhe inflacioni. Pastaj duhet pak më shumë që inflacioni të bie.

Nga ana tjetër, atë që kemi vërejtur, nuk e di për Maqedoninë, por kemi vërejtur se në Evropë dhe në Kroaci marzhet e fitimit të kompanive kanë mbetur të njëjta apo madke edhe janë rritur. Që do të thotë nga njëra anë kemi fitimet, e nga ana tjetër pagat. Të dyja këto duhet të zbuten në mënyrë që në periudhë afatmesme inflacioni të zbresë në nivelin e dëshiruar prej dy për qind.

Kur mund të presim lehtësim të politikës monetare dhe ulje të normave të interesit. Shohim se BQE vazhdon të rrisë normat e interesit. Në vendin tonë Banka Popullore ka rritur sërish normat e interesit. A mund të presim një zbutje të politikës monetare në periudhën afatshkurtër apo afatmesme?

- Kjo do të varet kryesisht nga zhvillimi i inflacionit. Ne jemi ende në regjimin e rritjes së normave të interesit si BQE dhe duke marrë parasysh pikëpamjet tona për inflacionin këtë vit dhe vitin e ardhshëm nëse nuk ka probleme në sektorin financiar që do të çonin në një shtrëngim të kushteve të financimit pa ndryshim të politikës monetare për shkak të problemeve të mundshme, që shpresoj dhe pres që të mos ndodhë, ne do të duhet të vazhdojmë rritjen e normave të interesit për të ulur inflacionin. Sigurisht që nuk do të flasim për mundësinë e uljes së normave të interesit këtë vit, e kjo më tutje varet nga ajo se sa shpejt do të ulet inflacioni drejt synimit tonë prej dy për qind. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më shpejt mund të presim zbutje të politikës monetare.

Si guvernator i Bankës Popullore Kroate, a mund të na thoni se si po përballet Kroacia me inflacionin?

- Edhe ne patëm, si gjithë të tjerët, rritje të inflacionit për arsye të ngjashme – së pari për shkak të tronditjes në anën e ofertës, ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit dhe ushqimit në fillim të luftës në Ukrainë, por tani mendojmë se dominojnë tronditjet në anën e kërkesës, respektivisht se ky është inflacion i shkaktuar nga ana e kërkesës. Po bie, kemi kaluar kulmin e inflacionit. Nuk mendoj se do të kthehet në nivelet që pamë më parë dhe do të vazhdojë të bie, por nuk presim që të bie shpejt. Ne presim që norma mesatare e inflacionit në vitin 2023 të jetë në nivelin prej 7 për qind. Edhe pse presim që nga fillimi i vitit deri në fund të bjerë, pra në fund të vitit do të jetë dukshëm më i ulët se 7 për qind, mesatarisht presim që të jetë 7 për qind, që siç thashë edhe më parë, kërkon politikë kufizuese monetare.

Si njohës i mirë i situatës në ekonominë maqedonase, dëshiroj t'ju pyes për vlerësimin tuaj se si ekonomia maqedonase dhe bankat maqedonase e përballojnë inflacionin në raport me rajonin?

- Sa i përket bankave në Maqedoni, ato në radhë të parë kanë model konservator, gjë që është e mirë meqë i bën më pak të ekspozuara ndaj krizave të këtilla, ekspozimi i tyre ndaj çdo mundësie të infektimit në sektorin financiar është më i ulët. Ato janë gjithashtu të kapitalizuara mirë.

Sa i përket ekonomisë maqedonase, është mirë që ajo është e hapur në raport me vendet e rajonit që mundëson fundja në afat të mesëm apo të gjatë rritje më të madhe të produktivitetit. Mirëpo, në afat të shkurtër mund të ketë më shumë ndjeshmëri në raport me atë që po ndodh jashtë, çfarë kemi parë dhe çfarë ka ndodhur. Megjithatë, edhe më tutje duhet të insistohet në hapjen e ekonomisë dhe tërheqjen sa më të madhe të investimeve, meqë pavarësisht se në afat të shkurtër kjo mund të shkaktojë që ekonomia të jetë më e ndjeshme, në periudhë afatmesme dhe afatgjate sigurisht është mirë për rritjen.

Duke filluar nga ky vit, në vendin tonë hapet mundësia për lojtarë të rinj në tregun e shërbimeve të pagesave. Kroacia tashmë ka përvojë dhe banka jonë qendrore merr një pjesë të përvojës nga Kroacia. Cila është përvoja e Kroacisë me këta lojtarë të rinj të shërbimit të pagesave?

- Kur u miratua kjo direktivë në sistemin e pagesave në Evropë dhe u hap mundësia që lojtarë të rinj të hyjnë si konkurrentë të bankave, gjë që është mirë, sepse rrit aftësinë konkurruese të tregut dhe u ofrohen shërbime më të mira konsumatorëve, menjëherë thamë se kjo është mirë, por se nuk duhet të presim ndonjë lloj ndryshimesh të përnjëhershme. Për këtë, së pari është e nevojshme që tregu të bëhet i maturuar, që lojtarë të rinj të hyjnë në treg, të përshtaten dhe të zhvillojnë modele afariste. Dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi në Kroaci. Ishte një proces gradual, zhvillimor dhe mendoj se mund të zbatohet edhe në Maqedoni. Këto janë institucione të ndryshme që pjesërisht konkurrojnë me bankat, pjesërisht veprojnë së bashku me bankat, ofrojnë shërbime pagese, portofol elektronik... Të gjitha ato institucione u shfaqën në Kroaci. Për momentin kemi 13, në mos gaboj, institucione jobankare për qarkullim pagesash. Disa prej tyre zhvilluan modele që u lejuan të hynin edhe në tregun evropian dhe të konkurronin me sukses në këto tregje. Unë po ju them, nuk është proces që ndodh brenda natës, por proces që kërkon pesë deri në gjashtë vjet për t'u zhvilluar. Kemi gjithmonë kërkesa nga disa institucione të reja pagesash për licencim. Ajo që ne përpiqemi të bëjmë është të kuptojmë modelin e tyre afarist, t'i këshillojmë se çfarë ka kuptim si model afarist dhe më pas, nëse e gjithë kjo është e suksesshme, ne i licencojmë dhe i sjellim në treg si konkurrencë shtesë që rrit arritshmërinë e shërbimeve për konsumatorët dhe bën më të lira disa shërbime për konsumatorët.

Institucionet ndërkombëtare financiare këmbëngulin për financat e gjelbra. Sa rol do të luajë këto financa të gjelbra për stabilitetin e sektorit financiar?

- Financat e gjelbra janë një ndryshim që vjen me ndryshimet klimatike që çojnë në ngrohje dhe që kanë pasoja të këqija ndaj shoqërisë, e potencialisht edhe ndaj stabilitetit financiar. Pra, këtu mund të mendojmë në dy mënyra. Po flas vetëm nga këndvështrimi i bankave qendrore. Një gjë është ndikimi i mundshëm i ndryshimeve klimatike ndaj inflacionit, që është edhe synimi ynë kryesor, ku rritja e zhvillimeve ekstreme klimatike si thatësira, përmbytjet, zjarret që sjellin deri te ajo të kemi tronditje në anën e ofertës, veçanërisht në bujqësi që çojnë në rritjen e çmimeve. Kjo është diçka e keqe meqë na e rrit inflacionin.

Nga ana tjetër është ekspozimi i bankave. Pjesa e kompanive që janë të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimatike mund të ndikojë në cilësinë e aktiveve të bankave, gjë që ndikon në stabilitetin financiar të bankave. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që bankat t'i dallojnë ato rreziqe dhe ne kërkojmë që bankat të dallojnë se sa janë të ekspozuara ndaj këtyre rreziqeve. Nuk është aspak e lehtë, por duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet ta bëjmë këtë. Nga ana tjetër, një numër i madh investimesh që shkojnë në

investime të gjelbra do të bëjnë që norma e interesit të rritet në të ardhmen, sepse ju duhet të angazhoni shumë më tepër mjete për ato investime të cilat përsëri mund të ndikojnë në politikën monetare në një mënyrë që norma afatgjate e interesit të jetë diçka më e lartë, sesa nëse do të ishte pa një cikël të tillë investues në politikën e gjelbër. Mirëpo, ato janë të nevojshme sepse ne jemi të përcaktuar dhe duam t'i ndërpresim këto ndryshime klimatike përpara se të shkaktojnë dëm më të madh.

Biljana Anastasova-Kostiq

video: Asllan Vishko

foto: Boris Kunoski

QËNDRONI TË LIDHUR