• e premte, 05 dhjetor 2025

Vuçiqi në Ukrainë: Vizita e parë që nga shpërthimi i luftës

Vuçiqi në Ukrainë: Vizita e parë që nga shpërthimi i luftës

Beograd, 11 qershor 2025 (MIA) - Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të marrë pjesë në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore që zhvillohet sot në Odesa, konfirmojnë nga kabineti i tij.

Mediat serbe theksojnë se vitin e kaluar në Samitin e Dubrovnikut kishte mosmarrëveshje rreth tekstit të deklaratës së përbashkët për krizën në Ukrainë, prandaj edhe këtë herë priten bisedime të vështira dhe përplasje diplomatike.

Kryeministrat e Greqisë dhe Kroacisë konfirmuan praninë e tyre më 23 maj, ndërsa konfirmimi arriti edhe nga presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, raporton Anadollu.

Samiti i mëparshëm u mbajt në tetor të vitit 2024 në Dubrovnik, ku gjithashtu mori pjesë edhe Vuçiqi. Atëherë u miratua një deklaratë e përbashkët, duke dënuar pushtimin rus ndaj Ukrainës, duke mbështetur integritetin e saj territorial, integrimin evropian dhe anëtarësimin në NATO.

Vizita e Vuçiqit në Ukrainë është e para që nga fillimi i invazionit rus në shkurt të vitit 2022 dhe konsiderohet një sinjal i rëndësishëm diplomatik, duke pasur parasysh se Serbia deri më tani është përpjekur të mbajë qëndrim neutral në lidhje me konfliktin. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR