• e diel, 22 dhjetor 2024

Vuçiq kërkon seancë urgjente të Këshillit të sigurimit të OKB-së për shkak të heqjes së dinarit në Kosovë

Vuçiq kërkon seancë urgjente të Këshillit të sigurimit të OKB-së për shkak të heqjes së dinarit në Kosovë

Beograd, 2 shkurt 2024 (MIA) - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot tha se sipas marrëveshjes së Brukselit dhe të gjitha marrëveshjeve tjera, "Serbia ka të drejtë normative për të financuar aktivitete të caktuara për serbët e Kosovës, siç janë shëndetësia, arsimi, pensionet, që është parashikuar edhe në Asociacionin e ardhshëm të komunave me popullatë shumicë serbe (AKS)", duke shtuar se "heqja e dinarit nuk ka qenë asnjëherë temë e dialogut me Prishtinën dhe se kryeministri i Kosovës Albin Kurti me vetëiniciativë ka marrë vendim për heqjen e dinarit si mjet për pagesë", njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

"Kësaj radhe, marrëdhëniet mes vendeve të Kuintës dhe fuqive më të mëdha perëndimore, të gjithëve, pothuajse të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian apo institucioneve të BE-së, janë të ndryshme. Nëse ndiqni nuancat në ato reagime, do të shihni se edhe njoftimi amerikan është disi më i fortë se ai i BE-së dhe besoj se partnerët perëndimorë do ta mbajnë fjalën dhe do të përpiqen të luftojnë për të drejtat elementare të popullatës serbe", tha Vuçiq.

Ai shtoi se me Prishtinën ka dialog, por se qëllimi i Kurtit është "spastrimi etnik i serbëve nga Kosova", apo siç shkruhet në Konventën e Gjenocidit, “nënshtrimi i qëllimshëm i serbëve ndaj kushteve jonormale të jetesës”.

"Serbia do të vazhdojë të sigurojë mjete të mjaftueshme për serbët e Kosovës, për të cilat sot janë paguar pesë milionë euro dhe ne do t'i paguajmë para kohe edhe 22 milionë euro për paga, pensione dhe detyrime të tjera", tha ai.

Vuçiq paralajmëroi se Serbia të hënën do të parashtrojë kërkesë me shkrim për mbajtjen e seancës së Këshillit të sigurimit të OKB-së për Kosovën, duke shfaqur shpresën se seanca do të zhvillohet dhe deklaroi se përveç anëtarëve të Këshillit të sigurimit të OKB-së, i informoi edhe të gjitha vendet anëtare të BE-së "për të gjitha lëvizjet e përshkallëzuara të Prishtinës në dy vitet e fundit", duke bërë me dije "çfarë kërkon Serbia nga bashkësia ndërkombëtare në përputhje me Kushtetutën dhe rezolutën 1244".

Vuçiq kujtoi se Serbia nga 1 marsi do të ketë një treg të vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe shtoi se "ai mendon se kjo është një gjë e madhe për njerëzit e rajonit", që do të na lejojë të flasim me BE-në për të ashtuquajturat "breza të gjelbër" për kamionët tanë. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR