• e diel, 09 shkurt 2025

Votuan liderët e partive politike në Kosovë, ja mesazhet e tyre

Votuan liderët e partive politike në Kosovë, ja mesazhet e tyre

Prishtinë, 9 shkurt 2025 (MIA)- Liderët e partive politike kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës për zgjedhjet parlamentare që mbahen sot në Kosovë. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mesazhin e saj u ka uruar suksese të gjithë personave që kanë garuar në zgjedhje. 

“Moti është me diell dhe është pak më lehtë të votohet. Besoj që i kanë informatat e nevojshme nga KQZ rreth vendvotimeve të tyre dhe është mundësi e mirë që qytetarët jo vetëm të japin vlerësimin për të gjithë politikanët që i kanë përfaqësuar deri më tani por edhe t’i japin mundësi atyre që ndoshta kandidojnë për herë të parë dhe është më rëndësi që këtë të drejtë ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti u ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që të votojnë, teksa tha se kjo është e drejtë demokratike.

“Ditë e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. I falënderoj të gjithë qytetarët të cilët kanë votuar deri në këto çaste dhe inkurajoj çdo njërin që të votojë. Ushtroni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet, përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ftoi qytetarët e Kosovës të marrin pjesë masivisht duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ai tha se sot është ditë e demokracisë ku qytetarët do të vendosin për fatin e tyre për katër vitet e ardhshme.

“Është ditë e mirë, është ditë e bukur, është ditë e demokracisë. Në këtë ditë të demokracisë ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre për 4 vitet e ardhme të tyre dhe të Republikës së Kosovës. I uroj të gjithë votuesit që për herë të parë në këto zgjedhje japin votën për të ardhmen e Republikës”, tha Abdixhiku.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ftoi të gjithë qytetarët të votojnë, por teksa foli për fushatën zgjedhore që partia e tij ka bërë, u shpreh se “edhe sot vota duhet të përcjellë të njëjtin pozitivitet”, duke iu drejtuar kështu mbështetësve të tij.

“Sot është një ditë e mirë, një ditë e madhe, e rëndësishme për vendin dhe demokracinë e Kosovës. Sapo votuam, me besimin e plotë për të ardhmen e qytetarëve tanë, besoj se kjo ditë duhet të shfrytëzohet nga çdo qytetar që ka të drejtë vote. Jam besimplotë, se ashtu sikurse kemi pasur fushatë pozitive, edhe vota do ta thotë të njëjtën”, tha Krasniqi.

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni “Kosova fituese”, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dalin për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Ka filluar mirë dhe informatat janë që ka filluar mirë procesi në gjithë vendin, me përjashtim të votimit me kusht që ka disa vonesa. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të dalin të votojnë. Vota juaj ka vlerë dhe Kosova ka nevojë për votën e juaj. Na priftë e mbara dhe suksese së bashku”, tha Haradinaj.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza inkurajoi të gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin dhe të votojnë, teksa shtoi se çdo rezultat që vendos “sovrani”, është i pranueshëm për të.

Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se sot është ditë e rëndësishme për demokracinë në Kosovë. Ai theksoi se duhet që të jemi krenar për demokracinë funksionale.

Ndryshe, në zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë do të mund të votojnë 2.075.868 qytetarë në 941 qendra të votimit dhe 2.533 vendvotime. Qytetarët e Kosovës në diasporë kanë votuar dje në 30 përfaqësi diplomatike të vendosura në 19 shtete të ndryshme.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR