• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Vjosa Osmani: Zgjedhjet janë të rëndësishme për qytetarët e veriut të Kosovës dhe për të ardhmen e komunave të tyre

Vjosa Osmani: Zgjedhjet janë të rëndësishme për qytetarët e veriut të Kosovës dhe për të ardhmen e komunave të tyre

Prishtinë, 22 prill 2023 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e zgjedhjeve të nesërme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, tha se ato janë një moment i rëndësishëm për qytetarët e asaj pjese të Kosovës dhe për të ardhmen e komunave të tyre.

"Zgjedhjet janë gurthemeli i secilës demokraci dhe dita e zgjedhjeve është ditë kur zëri juaj dëgjohet nga të gjithë. Andaj, zgjedhjet e 23 prillit janë moment i rëndësishëm për ju dhe për të ardhmen e komunave tuaja, ndërsa e drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë dhe ligje, ndaj atë e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim", tha presidentja e Kosovës.

Ajo nënvizoi se nëpërmjet votës së tyre qytetarët e komunave të veriut të Kosovës do të sigurohen që përfaqësuesit e zgjedhur do të merren drejtpërsëdrejti me çështje që prekin jetën e tyre dhe krijojnë perspektivë për të gjithë.

"institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar. Prandaj ju bëj thirrje që të refuzoni ata që ju vijnë me kërcënime dhe shantazhe dhe ju inkurajoj të dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit", thuhet në mesazhin e Presidentes së Kosovës. 

Qytetarët me të drejtë vote në katër komuna në veri të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë -  Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, do të zgjedhin kryetarët e rinj më 23 prill, ndërsa në Leposaviq dhe Zveçan do të votojnë edhe për  përbërjen e re të kuvendeve komunale. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR