Vjosa Osmani për “Al Aan”: Të gjitha dëshmitë për sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës të çojnë te Vuçiqi
- - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pohon se të gjitha gjurmët e sulmit të grupit serb në Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, çojnë tek presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Prishtinë, 19 shkurt 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pohon se të gjitha gjurmët e sulmit të grupit serb në Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, çojnë tek presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Në një intervistë për median panarabe “Al Aan” (www.alaan.tv), e cila është shpërndarë mbrëmë nga shërbimi për shtyp i Presidencës së Kosovës, Osmani thotë se edhe aleatët e Kosovës kanë konfirmuar se pas sulmit qëndron Vuçiqi, si urdhërues dhe organizator.
“Këto dëshmi janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm, ndërsa janë ndarë edhe me vendet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon te Vuçiçi. S’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për atë se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. E tash po mundohet t’i ikë përgjegjësisë, duke dhënë disa emra. Të gjithë e dinë, kam pritur në zyre shumë mysafirë e liderë e ma kanë konfirmuar këtë. Ka raste edhe kur i kanë thënë Vuçiqit direkt, se kanë shumë dëshmi se ai ishte pas sulmit. Është konfirmuar kjo dëshmi nga aleatë të ndryshëm”, deklaroi Osmani.
Sipas saj, Kosova e ka kryer hetimin përmes institucioneve përgjegjëse, pas së cilës një pjesë e rezultateve të hetimit janë publikuar, ndërsa një pjesë varet nga policia se kur do të publikohet.
“Gjitha dëshmitë janë aty për ata që duan t’i shohin. Por, ka disa shtete që s’duan t’i përdorin, ndërsa të tjerat që duan t’i injorojnë. Por, historia na ka mësuar rëndë në shumë raste, se kur autokratët mundohen të qetësohen, atëherë ata inkurajohen të bëjnë më tepër e jo më pak”, tha Osmani.
Në sulmin e një grupi të armatosur serb në Banjskë afër Zveçanit, më 24 shtator 2023, mbeti i vrarë një pjesëtar i policisë së Kosovës, ndërsa dy të tjerë u plagosën dhe tre nga sulmuesit serbë u vranë në reagimin e policisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se qeveria e tij është duke përmbushur obligimin e saj për funksionalizimin e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të kryera nga Serbia gjatë Luftës së Kosovës në vitet 1998-99.
Kurti dje në Fejsbuk shpërndaru një video nga momenti kur në Institutin është kryer pranim dorëzimi i dokumentave të para me të cilat vërtetohen krimet e kryera nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe në Kosovë në luftën e fundit.
Ai falënderoi familjet e të zhdukurve për përkushtimin e tyre në dokumentimin e krimeve të Serbisë.
"Funksionalizimi i Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi.
Ai informoi se dje, në 16-vjetorin e Pavarësisë, ka qenë në Institutin për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv, Atdhe Hetemi, dhe me Kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, në ceremoninë e pranim dorëzimit të dokumenteve të para në këtë Institut.
Qeveria e Kosovës në shtator të vitit të kaluar e miratoi draft-ligjin për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë , nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor të vitit 1999, i cili më pas u miratua edhe nga Kuvendi i Kosovës. ls/