• e premte, 05 dhjetor 2025

Viti 2030 – afati i vërtetë për pranimin e anëtarëve të rinj në BE ose thjesht një ambicie e parealizueshme

Viti 2030 – afati i vërtetë për pranimin e anëtarëve të rinj në BE ose thjesht një ambicie e parealizueshme

Bruksel, 15 shtator 2025 (MIA) - Ideja e një zgjerimi të ri të BE-së në vitin 2030 u promovua nga ish-presidenti i Këshillit Evropian Sharl Mishel në Forumin e Bledit në gusht 2023, duke theksuar se deri në këtë datë Bashkimi Evropian duhet të jetë gati për pranimin e anëtarëve të rinj.  

"Vala e radhës e zgjerimit është një ribashkim me historinë, përsëri është një imperativ gjeopolitik. Ne të gjithë, si vendet kandidate ashtu edhe institucionet e BE-së, kemi shumë punë për të bërë. Dëshiroj të përsëris besimin tim të vendosur se të dyja palët duhet të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030, tha Mishel në një nga adresat kur përmendi përsëri vitin 2030 si afatin e fundit për pranimin e anëtarëve të rinj në Bashkimin. 

Që atëherë, formulimi për vitin 2030 si viti i zgjerimit të ardhshëm të BE-së është bërë një mantër që përsëritet vazhdimisht në Bruksel kur bëhet fjalë për të ardhmen e procesit të aderimit të vendeve kandidate për anëtarësim. 

Përfaqësuesit e BE-së kanë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme se kandidatët për anëtarësim duhet të plotësojnë kushtet e dakorduara, para së gjithash kriteret e Kopenhagës, në mënyrë që të mund të hyjnë në Bashkimin, por që vetë blloku duhet të reformohet dhe përshtatet në mënyrë që të mund të pranojë anëtarë të rinj. 

Pasardhësi i Mishelit në postin e kryetarit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, në fillim të muajit, gjithashtu në Forumin strategjik në Bled, porositi se pranimi i Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës në BE nuk është vetëm premtim, por prioritet. 

"Këto vende janë në zemër të Evropës dhe janë pjesë e së ardhmes së Evropës. Në vitet e ardhshme, ne duhet ta përgatisim Bashkimin për zgjerim - përmes reformave, përshtatjeve buxhetore dhe qeverisjes së përforcuar. Zgjerimi nuk do të jetë i lehtë. Por do t'ia vlejë", theksoi Koshta.  

Edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen gjithashtu theksoi në fjalimin e saj vjetor "Gjendja e Bashkimit Evropian" para eurodeputetëve të mërkurën se e ardhmja e Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor është në BE. 

"Për të mundësuar bashkimin e ardhshëm të Evropës, ne po i afrojmë shtetet e ardhshme anëtare me Bashkimin tonë, duke investuar, duke mbështetur reformat, duke u integruar në Tregun e vetëm. Duhet të vazhdojmë ritmin e këtij procesi të bazuar në merita, sepse vetëm një Evropë e bashkuar mund të jetë një Evropë e pavarur", tha Fon der Lajen. 

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos tha në fillim të muajit pas takimit të ministrave për çështjet evropiane të vendeve anëtare të BE-së dhe kandidatëve për anëtarësim në Kopenhagë, deklaroi se procesi i zgjerimit të Bashkimit duhet të ndërtohet mbi kriteret e Kopenhagës.

"Bashkimi ynë është i hapur dhe ato dyer do të mbeten të hapura për ata që do të përmbushin plotësisht, drejt dhe në mënyrë transparente kriteret e Kopenhagës," theksoi Kos, duke shtuar se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në meritën dhe përparimin objektiv të bërë nga secili vend kandidat.  

Korsia e parë e zgjerimit - reformat e brendshme të BE-së  

Ideja e aderimit të anëtarëve të rinj në vitin 2030, të paktën zyrtarisht, edhe më tutje mbetet qëllim i BE-së. Në atë drejtim, për seancën e Komisionit Evropian më 29 tetor, kur do të miratohen dhe publikohen raportet mbi progresin në rrugën evropiane të vendeve kandidate për anëtarësim, parashikohet edhe pika Propozim-reformat për zgjerimin e BE-së. 

Sipas portalit "Nju Junion Post", i cili merret kryesisht me çështjet që lidhen me zgjerimin e BE-së, dokumenti i Komisionit Evropian do të përmbajë propozim për dimensionet e brendshme dhe të jashtme të reformave të lidhura me zgjerimin në të cilat duhet të përqendrohet Bashkimi. Propozimi bazohet në premisën se megjithëse reformat e BE-së "kanë qenë të domosdoshme edhe më parë", me zgjerimin "ato bëhen të domosdoshme", sepse edhe vendet e ardhshme anëtare edhe Bashkimi duhet të jenë gati për momentin e aderimit. 

Në të njëjtën kohë, edhe Parlamenti Evropian po përgatit propozimin e vet për reformat e BE-së. Në seancën e Komitetit për çështjet kushtetuese të PE-së, më 23 shtator, u diskutua edhe për miratimin e Propozim-raportit për nevojën e zbatimit të reformave të brendshme. 

Sipas raportuesit për dokumentin, eurodeputeti liberal Sandro Gozi, nëse nuk reformohet para pranimit të anëtarëve të rinj, BE-ja e zgjeruar "do të rrezikonte paralizën", ndërsa në mënyrë plotësuese  do të rriteshin edhe problemet ekzistuese me efikasitetin, demokracinë dhe funksionimin. 

Në fjalimin e tij vjetor në PE, fon der Lajen theksoi gjithashtu nevojën për reforma për të siguruar që BE është më efikase dhe mund të thithë anëtarë të rinj, kryesisht në aspektin e vendimmarrjes. 

"Besoj se duhet të kalojmë në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar në disa fusha, për shembull në politikën e jashtme. Është koha të çlirohemi nga prangat e konsensusit", tha fon der Lajen.  

Edhe Kos, gjithashtu thotë se paralelisht me zgjerimin, duhet të punohet për të përgatitur BE-në për pranimin e anëtarëve të rinj. "Zgjerimi dhe gatishmëria për BE janë projekt i njëjtë ... Kjo është rrugë me dy korsi, edhe zgjerim edhe përgatitje, në të njëjtën kohë, përfundoi Kos.  

Korsia e dytë e zgjerimit - reformat në vendet kandidate 

Por ajo që mund të jetë edhe më e rëndësishme në procesin e zgjerimit janë reformat në vetë vendet kandidate dhe përmbushja e kritereve të përcaktuara prej tyre.

Maqedonia e Veriut, e cila për shumë vite u konsiderua si "udhëheqëse" në procesin e zgjerimit, aplikoi për anëtarësim në BE në mars të vitit 2004, statusi i kandidatit u fitua në dhjetor 2005, por Konferenca e parë ndërqeveritare, e cila shënoi fillimin e procesit të negociatave, për shkak të bllokadave nga Greqia, e më pas Bullgaria, u mbajt madje në qershor të vitit 2022. Për momentin, negociatat janë bllokuar, duke kërkuar që vendi të bëjë ndryshime kushtetuese për të përfshirë bullgarët në Kushtetutë, si kusht për fillimin e hapjes së 33 kapitujve të negociatave. 

"Lideri" aktual në procesin e aderimit është Mali i Zi. Mali i Zi aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2008, u bë vend kandidat në dhjetor të vitit 2010 dhe filloi negociatat në qershor të vitit 2012. Vendi ka hapur të 33 kapitujt e procesit të negociatave, nga të cilat shtatë janë mbyllur përkohësisht. Podgorica ka ambicie për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2026, pasuar nga ratifikimi i traktatit të pranimit në shtetet anëtare, i cili zakonisht zgjat rreth dy vjet, kështu që vendi do të plotësonte kushtet për t'u bërë anëtar në fund të vitit 2028. 

Pas Malit të Zi është Shqipëria, e cila deri vitin e kaluar ishte në rrugën evropiane në një paketë me vendin. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në prill të vitit 2009, mori statusin e kandidatit në qershor të vitit 2014 dhe filloi negociatat në korrik të vitit 2022. Deri më tani, Shqipëria ka hapur 24 nga 33 kapitujt në negociata, ndërsa nuk është mbyllur asnjë. Për të martën është paralajmëruar hapja e edhe katër kapitujve të tjerë. Tirana dëshiron të ndjekë ritmin e Podgoricës dhe të jetë gati për anëtarësim në BE në vitin 2029.   

Serbia parashtroi kandidaturën për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2008, ashtu si edhe Mali i Zi dhe të dy vendet shkuan në paketë duke marrë statusin e kandidatit në dhjetor të vitit 2010 dhe duke filluar negociatat në qershor të vitit 2012. Beogradi deri më tani ka hapur 21 nga 33 kapitujt, dy prej të cilëve janë mbyllur përkohësisht. Rruga negociuese e Serbisë ka ngecur, pasi BE dhjetorin e kaluar vendosi tre kushte për përparim të mëtejshëm në negociatat – miratimin e ligjit të ri për mediat (i cili është bërë ndërkohë), ndryshimin e legjislacionit zgjedhor dhe krijimin e rregullatorit për mediat elektronike. Paralelisht, Serbisë i kërkohet të bëjë përparim në respektimin e sundimit të së drejtës, luftimin e korrupsionit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pozicioni i Serbisë në rrugën evropiane e ka komplikuar më tej krizën aktuale politike në vend.  

Bosnja e Hercegovina aplikoi për anëtarësim në shkurt të vitit 2016 dhe në dhjetor të vitit 2022 mori statusin e vendit kandidat, por tani për tani nuk është në horizont vendimi nga Këshilli i BE-së për të filluar negociatat e aderimit. 

Ukraina parashtroi kandidaturën për anëtarësim në BE në shkurt të vitit 2022, ndërsa Moldavia një muaj më vonë. Të dy vendet tashmë morën statusin e vendeve kandidate në qershor të vitit 2022 dhe në qershor të vitit 2024 i mbajtën konferencat e para ndërqeveritare me BE-në për të filluar negociatat. Për momentin, ato janë në fazën e procesit të shqyrtimit, por edhe pas përfundimit të tij, nuk pritet një fillim i shpejtë i negociatave për kapitujt, kryesisht për Ukrainën.   

Gjeorgjia aplikoi për anëtarësim, siç bëri Moldavia në mars 2022, dhe iu dha statusi i kandidatit në dhjetor 2023. Ndërkohë, në nëntor të vitit të kaluar, Tbilisi vendosi të ngrijë në mënyrë të njëanshme procesin e aderimit. 

Kandidati "më i vjetër" për anëtarësim në BE, Turqia parashtroi kandidaturë në prill të vitit 1987, në dhjetor të vitit 1999 iu dha statusi i kandidatit, ndërsa  negociatat nisën zyrtarisht në tetor të vitit 2005. Turqia ka hapur 16 kapituj negociues, vetëm një prej të cilëve është mbyllur përkohësisht, por BE ngriu negociatat në vitin 2018, për shkak të, siç u arsyetua, "ngecjes demokratike" të vendit.  

Kosova, e cila ende nuk njihet si shtet i pavarur nga pesë anëtarë të BE-së - Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, aplikoi për anëtarësim në vitin 2022 dhe aktualisht ka statusin e "kandidatit potencial" me perspektivë jo plotësisht të qartë. 

Mbështetje financiare për procesin e aderimit

Me Kornizën buxhetore shumëvjeçare të BE-së për periudhën e viteve 2028-2034, në të cilën përfshihet edhe viti famoz 2030, për zërin “zgjerimi, fqinjësia lindore dhe pjesa tjetër e Evropës” janë parashikuar thuajse 42,6 miliardë euro, gjë që paraqet rritje prej 37 për qind në krahasim me Buxhetin për vitet 2021-2027. Nga këto mjete, rreth 21 miliardë euro janë parashikuar për Instrumentin e Ndihmës së Para-aderimit (IPA 3) dhe Planin e ri të rritjes, i cili është dukshëm më i madh se 14 miliardët aktualë, i cili në Bruksel theksohet si sinjal se BE është e gatshme të rrisë aksionet dhe të intensifikojë mbështetjen në anëtarët e saj të ardhshëm. 

Në prezantimin e Kornizës së ardhshme buxhetore në mes të korrikut, fon der Lajen theksoi se BE do t'u sigurojë vendeve kandidate qasje në të gjithë grupin e mjeteve të instrumentit "Evropa globale", si tregues se zgjerimi si investim strategjik në stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës është proritet kryesor dhe qëllim politik i BE-së. 

"Këto mjete nuk janë vetëm për ndihmë teknike, por edhe për mbështetjen e reformave dhe për investime", tha fon der Lajen. 

Sipas Kos, një buxhet i tillë tregon se zgjerimi është një prioritet i qartë politik dhe gjeostrategjik për Bashkimin Evropian. "Shumë nga vendet tona kandidate kanë ambicie për të përfunduar negociatat në vitet e ardhshme. Ata janë partnerët tanë më të besueshëm dhe ne i mbështesim ata aq sa mundemi, ndërsa Plani i ri financiar multifunksional pasqyron këtë realitet", theksoi Kos.  

Shpallja e mbështetjes për reformat dhe investimet me buxhetin e ardhshëm të BE-së bazohet në Planin e Komisionit Evropian për Rritjen e Ballkanit Perëndimor dhe Instrumentin e tij të reformës së rritjes, me vlerë gjashtë miliardë euro për periudhën deri në vitin 2027. Qëllimi i Planit është të ofrojë mundësi për të forcuar konvergjencën socio-ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i afruar ato me tregun e vetëm të BE-së në shumë fusha edhe para anëtarësimit të plotë, si dhe mbështetje të konsiderueshme financiare shtesë.   

Nga gjashtë miliardë euro, dy miliardë euro janë në formën e granteve të pakthyeshme dhe katër miliardë euro kredi me kushte të favorshme të ofruara nga BE-ja. Tre miliardë euro nga mjetet për huazime janë të dedikuara për të përshpejtuar rritjen bazuar në reformat kryesore socio-ekonomike, ndërsa një miliardë kredi e mbetura dhe dy miliardë euro në grante janë caktuar për të mbështetur investimet në infrastrukturë në transport, energji, tranzicion digjital, arsim dhe zhvillimin e shkathtësive. Kusht për marrjen e këtyre mjeteve është zbatimi i reformave të përcaktuara nga agjendat e reformave të secilit vend veç e veç. 

Plani u promovua në nëntor të vitit 2023, kur u njoftua se deri në fillim të tremujorit të dytë të vitit 2024 do të bëhej operatibil dhe do t'u paguheshin mjetet e para vendeve të rajonit. Afati është prolonguar për fillimin e verës së vitit 2024, pastaj për pushimet verore, pastaj deri në tetor... Maqedonia e Veriut, si e para në mesin e vendeve të rajonit, mori mjetet e para për parafinancim në kuadër të Instrumentit të reformës dhe rritjes në shumën prej 52,4 milionë euro në mars të vitit 2025. 

Përveç Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, KE miratoi dokumente të ngjashme në mbështetje të Ukrainës dhe Moldavisë. 

Perspektivat e zgjerimit  

Eurokomisionerja Kos ka përsëritur vazhdimisht se pranimi i anëtarëve të rinj nuk është vetëm zgjerim i kufijve të BE-së dhe rritje në territorin e saj. 

"Zgjerimi nuk e bën BE-në vetëm më të madhe për sa i përket numrit të kilometrave katrorë dhe numrit të njerëzve. Kjo për mua është shumë më tepër. Bëhet fjalë për bashkimin e Evropës, kështu që duke rritur mbështetjen e të gjithë atyre që po punojnë shumë për të përmbushur kushtet për anëtarësim, ne jemi në rrugën e bashkimit të Evropës sonë", shtoi Kos.  

Në favor të pranimit të anëtarëve të rinj shkon edhe fakti që, sipas rezultateve të hulumtimeve të fundit të Eurobarometrit, zgjerimi i BE-së mbështetet nga 56 për qind e qytetarëve evropianë, me mbështetje të tillë veçanërisht të lartë midis njerëzve të moshës 15 deri në 39 vjeç, duke arritur deri në dy të tretat. Në përgjithësi, qytetarët e BE-së mbështesin zgjerimin dhe besojnë se kandidatët për anëtarësim duhet të bashkohen me bllokun kur plotësojnë kushtet e nevojshme, veçanërisht ato që lidhen me respektimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.  

Mbështetja e shumicës për aderimin në BE është gjithashtu e pranishme në të gjithë kandidatët për anëtarësim, me përjashtim të Serbisë. Mbështetja për anëtarësim është më e larta në Shqipëri, ku 92 për qind e qytetarëve do të votonin në referendum të mundshëm për anëtarësimin e vendit të tyre në BE. Kjo normë është 74 për qind në Gjeorgji, 70 për qind në Maqedoni dhe Ukrainë, 67 për qind në BeH, 64 për qind në Mal të Zi, 63 për qind në Moldavi dhe 58 për qind në Turqi. Për dallim nga kjo, në Serbi, mbështetja për aderimin e vendit drejt bllokut është vetëm 33 për qind. 

Megjithatë, përkundër manifestimit deklarativ të njerëzve të parë të BE-së dhe deklaratave se zgjerimi është prioritet i Bashkimit dhe se Brukseli do të bëjë "hapa të mëdhenj drejt integrimit të anëtarëve të rinj në vitet e ardhshme", si dhe mbështetjes publike për procesin, "bashkimi i shpejtë i Evropës" nuk ka gjasa të kalojë kaq lehtë.  

Ekspertja e çështjeve evropiane Zhelajke Çaki shprehet se nuk beson se është e mundur të arrihet konsensus për zgjerimin e BE-së në çdo kohë së shpejti. 

- Nëse BE dëshiron të zgjerohet në këtë dekadë, respektivisht deri në vitin 2030, ajo duhet të reformojë procesin e aderimit dhe të sigurojë më shumë mbështetje për forcimin e demokracive të brishta. Hendeku midis raporteve zyrtare të BE-së dhe deklaratave publike të liderëve për proces të përshpejtuar është i paqëndrueshëm, konsideron Çaki. 

Analistët vlerësojnë se zgjerimi i parë i ri i BE-së mund të jetë teorikisht në vitin 2030, por ka shumë më shumë të ngjarë të ndodhë vetëm në mes të dekadës së ardhshme. Cilat vende do të përfshiheshin në atë zgjerim tani për tani është çështje e hapur. 

Sashko Panajotov

foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR