Vietnami është nikoqir i ceremonisë së nënshkrimit të Konventës së OKB-së kundër krimit kibernetik
- Sot në Vietnam u mbajt ceremonia e nënshkrimit dhe konferenca e nivelit të lartë e Konventës së OKB-së kundër krimit kibernetik, e njohur edhe si Konventa e Hanoi-t.
Hanoi, 25 tetor 2025 (MIA) - Sot në Vietnam u mbajt ceremonia e nënshkrimit dhe konferenca e nivelit të lartë e Konventës së OKB-së kundër krimit kibernetik, e njohur edhe si Konventa e Hanoi-t.
Në takimin e titulluar "Luftimi kundër krimit kibernetik - Ndarja e përgjegjësive - Sigurimi i së ardhmes sonë", morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh, si dhe lider dhe përfaqësues të lartë nga rreth 110 vende dhe organizata të shumta ndërkombëtare.
Duke folur në ceremoninë e hapjes së nivelit të lartë, presidenti vietnamez Luong Kuong tha se mbajtja e ceremonisë së nënshkrimit nga Vietnami dhe pozicioni i tij si vendi i parë që nënshkroi Konventën e Hanoit demonstrojnë angazhimin e tij të fortë ndaj sundimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të detyrimeve ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e rendit ligjor global në hapësirën kibernetike.
Përfaqësues nga 60 vende dhe rajone morën pjesë në nënshkrimin e konventës në një ceremoni zyrtare të organizuar nga Zyra e Çështjeve Ligjore e OKB-së.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se fuqia e vërtetë e konventës do të qëndrojë në shndërrimin e nënshkrimeve në veprime të prekshme dhe i nxiti shtetet nënshkruese ta ratifikojnë dhe të fillojnë zbatimin e konventës shpejt.
Ai tha gjithashtu se nëpërmjet Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, Sekretariatit të Konventës dhe Zyrës së OKB-së për Çështjet Ligjore, OKB-ja do t'i ndihmojë vendet të zbatojnë në mënyrë efektive marrëveshjen, të ndërtojnë kapacitete, të forcojnë hetimet dhe të thellojnë bashkëpunimin ndërkufitar. ls/