Vens: Rusia "kërkon shumë" për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë
- Rusia po bën kërkesa joreale për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe në Shtëpinë e Bardhë po rritet pakënaqësia lidhur me përpjekjet për të rifilluar bisedimet e paqes me Moskën, deklaroi sot nëndëspresidenti amerikan Xhej Di Vens.
- Post By Lindita Sulejmani
- 19:57, 7 maj, 2025

Uashington, 7 maj 2025 (MIA) - Rusia po bën kërkesa joreale për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe në Shtëpinë e Bardhë po rritet pakënaqësia lidhur me përpjekjet për të rifilluar bisedimet e paqes me Moskën, deklaroi sot nëndëspresidenti amerikan Xhej Di Vens.
Gjatë takimit me grupin e liderëve nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut në Uashington sot, Vens tha se Shtetet e Bashkuara po përqendrohen në zgjidhje afatgjata pasi Rusia hodhi poshtë iniciativën e Uashingtonit për një armëpushim 30-ditor. Moska shpjegoi se një armëpushim i përkohshëm nuk ishte në interesin e saj strategjik, sepse do t'i lejonte Ukrainës të rigrupohet.
"Rusët kanë vendosur një sërë kërkesash dhe lëshimesh specifike si kusht për t'i dhënë fund konfliktit. Ne mendojmë se po kërkojnë shumë," tha Vens.
Ai shtoi se hapi tjetër është të inkurajohen Ukraina dhe Rusia që të fillojnë dialogun e drejtpërdrejtë.
"Ne do të donim që Rusia dhe Ukraina të bien dakord të paktën për udhëzimet themelore në mënyrë që të mund të ulen dhe të bisedojnë me njëra-tjetrën. Ky është hapi i madh i radhës që duam të ndërmarrim", tha Vens, duke sinjalizuar se administrata e Trampit është e gatshme të jetë më e vendosur në negociatat me Moskën. ls/