• e premte, 05 dhjetor 2025

Vens: Armëpushimi mes Gazës dhe Izraelit respektohet pavarësisht përleshjeve në Gazë

Vens: Armëpushimi mes Gazës dhe Izraelit respektohet pavarësisht përleshjeve në Gazë

Uashington, 29 tetor 2025 (MIA) - Armëpushimi mes Izraelit dhe grupit të Hamasit mbetet në fuqi edhe pavarësisht shkëmbimeve të zjarrit të përsëritura në Rripin e Gazës, deklaroi mbrëmë nënpresidenti Xhej Di Vens, njofton DPA.

"Armëpushimi po respektohet. Kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë përleshje të vogla aty dhe këtu", tha Vens cituar nga mediat amerikane. 

Qeveria izraelite njoftoi se ka kryer sulme ajrore në Gazë si përgjigje e sulmit ndaj ushtarëve izraelit, ndërsa Hamasi e mohoi përgjegjësinë. Pretendimet nuk mund që në mënyrë të pavarur të verifikohen, raporton DPA. 

"Uollstrit xhurnal" citoi zyrtarin amerikan i cili tha se Uashingtoni ishte informuar më parë për sulmet izraelite dhe ka pritur sulme të synuara. Izraeli nuk ka për qëllim ta rrezikojë armëpushimin, shtoi zyrtari. 

Vens deklaroi për televizionin amerikan En-Bi-Si se një ushtar i armatës izraelite ishte sulmuar nga Hamasi ose aktor tjetër në Gazë. Edhe pse priste që Izraeli të përgjigjej, ai megjithatë besonte se plani i paqes së presidentit amerikan Donald Tramp do të respektohet. 

Që kur armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor, incidentet vdekjeprurëse vazhduan. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, të udhëhequra nga Hamasi, gjatë kësaj kohe janë vrarë më shumë se 90 palestinezë. 

Rreth një javë më parë, dy ushtarë izraelit humbën jetën në sulmin me granata. Izraeli, gjithashtu, e akuzon Hamasin për vonesën e dorëzimit të trupave të pengjeve të vrarë, raporton DPA. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR