• e hënë, 23 dhjetor 2024

Vendet e Kuintit: Qëndrimi ynë për urën e Ibrit nuk ka ndryshuar, tani nuk është momenti që ajo të hapet

Vendet e Kuintit: Qëndrimi ynë për urën e Ibrit nuk ka ndryshuar, tani nuk është momenti që ajo të hapet

Prishtinë, 13 shtator 2024 (MIA) - Qëndrimi i vendeve të të ashtuquajturit "Grupi Kuinti", gjegjësisht pesë shtetet më me ndikim të cilat kanë ambasada në Kosovë, lidhur me hapjen e urës në lumin Ibër në Mitrovicë nuk ka ndryshuar, gjegjësisht mbeten në qëndrimin se ura nuk duhet të hapet për qarkullim të veturave, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në një përgjigje për grupacionin "Koha" të ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë thuhet se ky qëndrim është komunikuar vazhdimisht dhe se me të janë të njohur të gjithë akterët. 

“Qëndrimi i ambasadave të vendeve të Kuint-it është komunikuar vazhdimisht dhe është i njohur për të gjithë akterët. Nuk ka asnjë ndryshim në këtë pozicion”, ka thënë kreu për Kulturë, Media dhe Komunikim në Ambasadën e Gjermanisë, Khristian Boçer..

Përfaqësues të shteteve të Kuint-it - Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia - në vazhdimësi kanë deklaruar se janë kundër ndryshimit të statusit të Urës së Ibrit. Sipas tyre kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut me Serbinë, i cili zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. 

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën, më 10 shtator, në një vizitë në veri të vendit kishte thënë se për hapjen e urës janë në pritje të koordinimeve të vendeve të Kuint-it dhe me Misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Ne jemi gati. Me konsultime e koordinim. Po i presim Kuint-in dhe KFOR-in. Vazhdimisht jemi në koordinim me ta. Kemi bërë përgatitje dhe punë sa i përket edhe pastrimit të mjedisit rrotull aty edhe të vlerësimit të qëndrueshmërisë së Urës në aspektin teknik dhe fizik”, pati thënë Kurti. 

Pak orë pas deklaratës së Kurtit për hapjen e Urës, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka përcjellë për mediat një deklaratë. Në të thuhet se qëndrimi i KFOR-it nuk ka ndryshuar. Theksohet se vendimi për hapjen e Urës qendrore në Mitrovicë duhet të merret në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Për çështjen e hapjes së mundshme të Urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar“, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të KFOR-it, Salvatore Maskoli. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR