• e hënë, 23 dhjetor 2024

Vendet e KOP28 nuk arritën marrëveshje për heqjen graduale të karburanteve fosile pas refuzimit të OPEK-ut

Vendet e KOP28 nuk arritën marrëveshje për heqjen graduale të  karburanteve fosile pas refuzimit të OPEK-ut

Dubai, 10 dhjetor 2023 (MIA) - Në Samitin e KOP28 në Dubai, vendet anëtare nuk arritën të bien dakord për një traktat të propozuar për të hequr gradualisht karburantet fosile, duke rrezikuar përpjekjet për të arritur angazhimin e parë për t'i dhënë fund përfundimisht përdorimit të naftës dhe gazit si pjesë e negociatave 30-vjeçare për të reduktuar ngrohjen globale. 

Vëzhguesit e bisedimeve thanë se Arabia Saudite dhe Rusia ishin në mesin e disa vendeve që u përpoqën konferenca e Dubait të fokusohet vetëm në uljen e ndotjes së mjedisit jetësor dhe jo në luftimin e lëndëve djegëse fosile që e shkaktojnë atë.

Nga ana tjetër, të paktën 80 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe shumë vende të varfra dhe të cenueshme nga klima, duan që marrëveshja KOP8 të deklarojë qartë fundin eventual të përdorimit të karburanteve fosile.

"Ne kemi nevojë për qasje reale për t'u marrë me emetimet, tha Sekretari i Përgjithshëm i OPEK-ut Hajtam al-Gais në komentet e lexuara nga një përfaqësues zyrtar. Ata që mundësojnë rritjen ekonomike ndihmojnë në çrrënjosjen e varfërisë dhe rritjen e qëndrueshmërisë në të njëjtën kohë", theksoi ai.

Në fillim të kësaj jave, grupi i naftës dërgoi një letër duke u bërë thirrje anëtarëve dhe aleatëve të tij që të refuzojnë çdo përmendje të lëndëve djegëse fosile në marrëveshjen përfundimtare të Samitit, duke paralajmëruar se "presioni i pajustifikuar dhe disproporcional mbi lëndët djegëse fosile mund të arrijë një pikë kthese".

Arabia Saudite është prodhuesi më i madh i naftës në OPEK dhe është lideri de fakto i organizatës, ndërsa Rusia është anëtare e grupit të ashtuquajtur OPEK +.

Duke u përpjekur të fokusohen në emetimet dhe jo në lëndët djegëse fosile, të dy vendet duket se po mbështeten në premtimin e teknologjisë së shtrenjtë të kapjes së karbonit, për të cilën paneli i shkencës klimatike i KB-së thotë se nuk mund të zëvendësojë reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile në korniza botërore.

Vende të tjera, duke përfshirë Indinë dhe Kinën, nuk e mbështetën në mënyrë eksplicite hedhjen poshtë të karburanteve fosile KOP28, por mbështetën thirrjen popullore për të rritur energjinë e rinovueshme.

Duke këmbëngulur në fokusimin e emetimeve dhe jo në lëndët djegëse fosile, të dyja vendet duket se po mbështeten në premtimin e teknologjisë së shtrenjtë të sekuestrimit të karbonit, e cila, sipas panelit të shkencës klimatike të KB-së, nuk mund të zëvendësojë uljen e përdorimit të karburanteve fosile në botë.

Ministri indian i Mjedisit Jetësor, Pyjeve dhe Ndryshimeve Klimatike Bupender Jadav bëri thirrje për "barazi dhe drejtësi" në çdo marrëveshje, duke thënë se vendet e pasura duhet të marrin drejtimin në veprimin global të klimës.

Me përfundimin e samitit të martën, ministrat e pothuajse 200 vendeve të mbledhura në Dubai i bashkuan përpjekjet për tejkalimin e qorr-sokakut të karburanteve fosile.

Vendet e rrezikuara ndaj ndryshimeve klimatike thanë se rënia e përmendjeve të karburanteve fosile në KOP28 do ta rrezikonte të gjithë botën.

"Asgjë nuk e vë në rrezik më të madh mirëqenien dhe të ardhmen e të gjithë njerëzve në Tokë, duke përfshirë të gjithë qytetarët e vendeve të OPEK-ut, sesa lëndët djegëse fosile", tha në një deklaratë Përfaqësuesja e Klimës në Ishujt Marshall, Tina Stege. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR