Vdiq një anëtar i lartë i grupit palestinez Xhihadi islamik i cili ishte në grev urie në një burg izraelit
- Palestinezi Hader Adnan, i lidhur me grupin ekstremist palestinez Xhihadi Islamik, vdiq sot në burg pas grevës 87-ditore të urisë, kumtuan autoritetet e burgjeve izraelite.
- Post By Lindita Sulejmani
- 08:31, 2 maj, 2023

Jerusalem, 2 maj 2023 (MIA) - Palestinezi Hader Adnan, i lidhur me grupin ekstremist palestinez Xhihadi Islamik, vdiq sot në burg pas grevës 87-ditore të urisë, kumtuan autoritetet e burgjeve izraelite.
Autoritetet thanë se Adnani refuzoi t'i nënshtrohej ekzaminimeve mjekësore dhe të merrte kujdes mjekësor dhe u gjet pa ndjenja në qelinë e tij herët në mëngjes dhe u dërgua në spital.
"Hader Adnan u ekzekutua me gjakftohtësi," publikuan nga Shoqata e të Burgosurve të Gazës WAED.
Dyzet e pesë vjeçari Adnan, nga qyteti Xhenin, është një figurë e shquar në Xhihadin Islamik në Bregun Perëndimor, i pushtuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967. Ashtu si organizata islamike Hamas, Xhihadi Islamik kundërshton marrëveshjet e paqes midis palestinezëve dhe Izraelit.
Izraeli e akuzon Adnanin për mbështetjen e terrorizmit.
Militantët nga Gaza hodhën raketa sot pas vdekjes së Adnanit. Ushtria izraelite tha se tre raketa ishin lëshuar nga Gaza dhe "ulën në zona të hapura". ls/