Vdes gruaja e rrahur nga negotinasi me të cilin ishte në bashkësi jashtëmartesore, ai do të ndiqet për vepër penale të rëndë
Negotinë, 7 gusht 2022 (MIA) – Vepra e kryer nga një burrë nga Negotina, i cili së fundi e ka rrahur gruan me të cilën ka jetuar në bashkësi jashtëmartesore, sipas rrethanave të reja do të riklasifikohet si vepër penale e rëndë, sepse ndërkohë gruaja ndërroi jetë. Këtë pasdite e kanë konfirmuar për MIA-n nga Prokuroria Publike e Kavadarit.
"Procedura ndaj tij është në vijim e sipër. Ai mbetet në paraburgim. Hetimi është hapur dhe po vazhdon. Kur të ketë aktakuzë, do ta informojmë opinionin", thanë nga Prokuroria.
Paraprakisht, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 51 vjeçarit banorë në Negotinë për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale - Lëndim i rëndë trupor nga neni 131 paragrafi 3 i Kodit Penal.
"Më datë 2 gusht, pas debatit verbal, i dyshuari ka ushtruar dhunë familjare ndaj gruas me të cilën më parë ka jetuar në bashkësi jashtëmartesore prej disa vitesh. Ai e goditi disa herë me grusht në kokë dhe më pas e shtyu drejt dushit të banjës. E dëmtuara ka rënë dhe ka pësuar lëndim të rëndë trupor nga i cili ka rënë në gjendje kome. Pas intervenimit në spitalin e Përgjithshëm – Kavadar, ajo menjëherë është transferuar për trajtim në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup", njoftoi atëkohë Prokuroria.
Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Kavadar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, pasi ka vlerësuar se ekziston rreziku që ai të ikë për t'iu shmangur ndjekjes penale. bs/