• e diel, 22 dhjetor 2024

Vazhdon debati i komisionit për ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve

Vazhdon debati i komisionit për ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve

Shkup, 16 maj 2023 (MIA) - Komisioni kuvendor për çështje evropiane sot do ta vazhdojë debatin rreth ndryshimeve ligjore të propozuara të ndërlidhura me ndërtimin e korridoreve, të shënuara me flamur evropian, të cilat duhet të miratohen me procedurë të shkurtuar.

Në vazhdimin e sotëm, anëtarët e Komisionit kuvendor për çështje evropiane duhet të diskutojnë rreth Propozim ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për planifikim urbanistik, me procedurë të shkurtuar. Në rend dite të kësaj seance janë edhe Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për ndërtim, Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për shpronësim, Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për vërtetimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 (aksi: Tetovë - Gostivar - Bukojçanë dhe projekti për autostradën Trebenishtë - Strugë - Qafë Thanë) dhe Korridori 10d (aksi i autostradës Prilep-Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

Në rend dite është edhe Projektligji për Akademi për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, me procedurë të shkurtuar.

Në rrjedhën e deritanishme të Komisionit për çështje evropiane, opozita dha vërejtje për miratimin  eligjeve me flamur evropian edhe me procedurë të shkurtuar. Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, edhe me këtë ligj shkelet Kushtetuta, pezullohen ligjet në vend dhe vendoset paligjshmëri, propozimi është i paqartë dhe jo transparent. Vërejtja kryesore e deputetëve të opozitës është se dokumentacioni planor gjatë projektimit me ndryshimet është i pavlefshëm dhe për ndërtimin e pjesëve rrugore do të mjaftojë vetëm një projekt urbanistik. Sipas tyre, kjo do të sjellë pasoja të dëmshme dhe do t'i lejojë secilit të ndërtojë ku të dojë në të ardhmen. Ata vunë re se ligji po “shtyhet” sërish me flamur evropian, edhe pse ndaj tij ka reaguar edhe euroambasadori në vend, Dejvid Gir. Ndërsa, nga ana tjetër, për deputetët e qeverisë, ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për ndërtim urban në asnjë rast nuk shkojnë për të anashkaluar procedurën dhe nuk e shkelin rregulloren ekzistuese dhe në të cilën pushon planifikimi urbanistik në këtë vend. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR