Vazhdojnë sulmet izraelite kundër Libanit përderisa rritet shqetësimi, numri i të vdekurve tejkaloi 550
- – Izraeli njoftoi se ka kryer dhjetëra sulme ajrore ndaj Hezbollahut libanez sot, pasi qindra njerëz ishin vrarë një ditë më parë derisa u përshkallëzuan përleshet në luftën gati njëvjeçare në Gazë.
- Post By Fitore Curri
- 20:56, 24 shtator, 2024
Bejrut, 24 shtator 2024 (MIA) – Izraeli njoftoi se ka kryer dhjetëra sulme ajrore ndaj Hezbollahut libanez sot, pasi qindra njerëz ishin vrarë një ditë më parë derisa u përshkallëzuan përleshet në luftën gati njëvjeçare në Gazë.
Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se në sulmet izraelite humbën jetën të paktën 558 njerëz, në mesin e të cilëve 50 fëmijë, të hënën në ditën më vdekjeprurëse të dhunës nga lufta civile në vend në vitet 1975-1990.
Ministri libanez i Shëndetësisë Firas Abijad deklaroi sot se “shumica e të vrarëve dje ishin persona të paarmatosur në shtëpitë e tyre”. Kabineti i tij e konfirmoi vrasjen e edhe gjashtë personave në sulmin e sotëm ajror izraelit në jug të Bejrutit.
Izraeli më vonë njoftoi se e “ka eliminuar” komandantin e Hezbollahut, Ibrahim Kobeisin në sulmin ndaj kryeqytetit libanez. Një burim i afërt me Hezbollahun gjithashtu konfirmoi se Kobeisi është vrarë.
Edhe krahas presionit të rritur ndaj Izraelit që t’i ndërpresë sulmet vdekjeprurëse, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu paralajmëroi vazhdimin e operacionit ushtarak.
Hezbollahu më parë njoftoi se sot ka gjuajtur raketa ndaj bazave ushtarake izraelite, pasi 180 predha e kaluan kufirin me Izraelin, duke i detyruar banorët e Haifas që të vrapojnë drejt strehëve.
Ushtria izraelite njoftoi se më shumë se 50 predha ishin gjuajtur drejt Izraelit verior për më pak se dhjetë minuta, duke shtuar se i ka kapur shumicën e tyre. Gjithashtu, thuhet se ka kryer shumë sulme ndaj infrastrukturës së Hezbollahut, si dhe sulm ajror në Bejrut dy ditë me radhë.
Hezbollahu më vonë konfirmoi se ka në shënjestër edhe katër lokacione ushtarake izraelite, përfshirë edhe një kamp ushtarak në jug të Haifës me tre raketa Fadi.
KB-ja njoftoi se dhjetëra mijëra libanezë kishin ikur nga shtëpitë e tyre nga e hëna për shkak të sulmeve të rritura izraelite.
Një funksionar anonim amerikan tha se Uashingtoni kundërshton pushtimin tokësor izraelit dhe ka ide konkrete si të qetësohet kriza.
Një përfaqësues ushtarak izraelit, i cili nuk është identifikuar, tha se ushtria ka për qëllim që ta degradojë kërcënimin e Hezbollahut dhe ta shtypë nga kufiri dhe ta shkatërrojë infrastrukturën e tij.
Analisti politik izraelit Mihail Horoviç vlerësoi se situata është shumë e rrezikshme, por se ende ka hapësirë që diplomacia ta shmangë më të keqen. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s