Vatikan: Kardinalët do të caktojnë sot datën e konklavit për zgjedhjen e Papës së ri
- Kardinalët e Kishës Katolike, të cilët kanë mbërritur në Romë nga e gjithë bota, sot e mbajnë Kongregacionin e pestë të përgjithshëm pas vdekjes së Papa Françeskut, njoftoi DPA.
Romë, 28 prill 2025 (MIA) - Kardinalët e Kishës Katolike, të cilët kanë mbërritur në Romë nga e gjithë bota, sot e mbajnë Kongregacionin e pestë të përgjithshëm pas vdekjes së Papa Françeskut, njoftoi DPA.
Takimi do të fillojë në orën 9 sipas kohës lokale dhe pritet të caktohet data për fillimin e konklavit, në të cilin zgjedhet papa i ri. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, konklavi mund të fillojë më 5 ose 6 maj, menjëherë pas përfundimit të nëntë ditëve zyrtare të zisë, që përfundojnë më 4 maj.
Që nga vdekja e Papa Françeskut, janë mbajtur katër Kongregacione të përgjithshme, në të cilat u morën vendime për organizimin e funeralit dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Kishës.
Kardinali italian Xhuzepe Verzaldi deklaroi për "La republika" se deri më tani ka pasur një atmosferë “hapjeje të madhe” midis kardinalëve, duke theksuar se “ka mendime të ndryshme, por klima është më shumë shpirtërore sesa politike ose konfliktuale”.
Të drejtë vote në konlavë kanë 135 kardinalë që janë më të rinj se 80 vjet, nga gjithsej 252 që numëron Kolegjiumi i kardinalëve. Rreth 80 për qind e kardinalëve me të drejtë vote janë emëruar nga vetë Papa Françesku, por kjo nuk garanton se ato do të zgjedhin një pasardhës që do të vazhdojë vizionin e tij.
Shumica e zgjedhësve kardinalë janë relativisht të rinj dhe për shumë prej tyre ky do të jetë konklavi i tyre i parë. Më pak se gjysma e votuesve vijnë nga Evropa.
Zgjedhja e Papës së ri do të zhvillohet në Kapelën Sistine, nën afresket e shekullit të 16-të të Mikelanxhelos. Votimi është rreptësisht sekret dhe kryhet sipas rregullave dhe procedurave ceremoniale strikte. Çdo ditë mbahen katër votime - dy në mëngjes dhe dy në pasdite - derisa një kandidat të marrë shumicën prej dy të tretash.
Procesi mund të zgjasë disa ditë ose më gjatë, varësisht nga rezultati i votimeve.
Kisha katolike, në një kohë pasigurie të madhe globale, është në kërkim të një udhëheqësi të ri i cili, siç thonë disa përfaqësues të kishës, do të jetë "i guximshëm, i vendosur dhe i aftë të mbajë fort timonin edhe në stuhi, duke ofruar stablitet në një epokë sfidash të mëdha".
Pas zgjedhjes, në çatinë e Kapelës Sistine do të shfaqet tym i bardhë - një shenjë se Kisha ka një Papë të ri. ls/
Foto: EPA