• e hënë, 23 dhjetor 2024

Varheji: Qëllimi është që në tetor të mbahen konferenca ndërqeveritare me Tiranën, Beogradin dhe ndoshta Shkupin

Varheji: Qëllimi është që në tetor të mbahen konferenca ndërqeveritare me Tiranën, Beogradin dhe ndoshta Shkupin

Budapest, 9 shtator 2024 (MIA) - Komisari evropian për politikë të fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varheji deklaroi sot se qëllimi është që në tetor të mbahen konferenca ndërqeveritare me Serbinë, Shqipërinë dhe ndoshta me Maqedoninë e Veriut.

“Me Serbinë, Shqipërinë, ndoshta edhe Maqedoninë e Veriut, qëllimi jonë është që muajin e ardhshëm të mbajmë konferenca ndërqeveritare”, tha Varheji.

Në Konferencën për Politikë të përbashkët të jashtme dhe siguri (PPJS) dhe Politikë të përbashkët për siguri dhe mbrojtje (PPSM) në Budapest, Varheji shtoi se BE-ja duhet të vazhdojë negociatat me Serbinë dhe të hapë Klasterin 3 që ka të bëjë me konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Njëherësh ai i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojnë me dialogun i cili zhvillohet nën patronazhin e BE-së.

"Beogradi dhe Prishtina duhet të vazhdojnë dialogun për të avancuar në rrugën drejt BE-së. Nevojitet një qasje konstruktive dhe duhet të shmangen lëvizjet e njëanshme që krijojnë tensione", tha Varheji.

Lidhur me rezultatet e Komisionit Evropian për politikën e zgjerimit, Varheji përmendi Planin e rritjes të miratuar së fundmi për Ballkanin Perëndimor i cili hedh themelet për zbatimin e një integrimi gradual më të shpejtë, ashtuqë partnerët janë më të përgatitur për procesin e inkuadrimit.

"Kjo ofertë e paprecedentë prej gjashtë miliardë euro shtesë për mbështetje financiare për Ballkanin Perëndimor mëton të nxit zhvillimin socio-ekonomik dhe afrimin e rajonit të BE-së dhe duhet të sigurojë përfitimet e anëtarësimit që para aderimit. Njëherësh promovon integrimin ekonomik në rajon përmes tregut të përbashkët rajonal", ka thënë Varheji.

Ai theksoi se mbështetja e përgjithshme financiare e BE-së për Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2027 do të arrijë një "nivel të krahasueshëm të intensitetit të ndihmës" si në fondet aktuale kohezive dhe strukturore të BE-së, që do të thotë 90 për qind e intensitetit të ndihmës deri në vitin 2027.

Varheji shtoi se Plani i rritjes duhet të përshpejtojë proceset reformuese në Ballkanin Perëndimor dhe shtoi se të gjithë partnerët kanë paraqitur agjenda reformuese që përshkruajnë se si dhe kur do të përfundojnë reformat e nevojshme për hyrje në BE.

Njëherësh, ai theksoi se politika e zgjerimit është bërë prioriteti kryesor i BE-së dhe vlerësoi se sot për shkak të situatës gjeopolitike dhe sigurisë në Evropë, zgjerimi është bërë i pashmangshëm sepse, siç theksoi, “nuk ka paqe, prosperitet dhe siguri në Evropë pa zgjerim”.

Komisari i BE-së për fqinjësi dhe zgjerim shpreson njashtu për hapa të mëtejshëm për të përmirësuar marrëdhëniet BE-Turqi, duke thënë se Brukseli dëshiron "kthimin e energjisë" në lidhjet bilaterale me Turqinë.

"Ne jemi të angazhuar aktivisht me Ankaranë për të nxitur marrëdhëniet tona bilaterale", është shprehur Varheji në Budapest gjatë Konferencës ndërparlamentare për politikë të përbashkët të jashtme dhe siguri dhe Politikë të përbashkët për siguri dhe mbrojtje.

"Pas pesë vjetësh, sapo patëm një shkëmbim produktiv me ministrin për Punë të Jashtme të Turqisë (Hakan Fidan) në takimin e fundit në Gimnih në fund të gushtit", tha ai duke shpresuar për dialog të mëtejshëm të nivelit të lartë, angazhim gradual të Bankës Evropiane për Investim dhe rifillimin e diskutimit për mandatin për modernizimin e Unionit doganor BE-Turqi.

foto: arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR