• e martë, 21 janar 2025

Vajc: Shoh gatishmërinë e Qeverisë për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së, nëse ka garanci se Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja

Vajc: Shoh gatishmërinë e Qeverisë për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së, nëse ka garanci se Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja

Strasburg, 27 nëntor 2024 (MIA) - Unë shoh indikacione se kjo Qeveri është e gatshme të ecë përpara në integrimet evropiane, nëse ka garanci se Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja dhe nuk do të bllokojë më tej procesin, tha në një takim me gazetarët e Maqedonisë raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut Tomas Vajc, lajmëroi raportuesi special i MIA-s nga Strasburgu.

"Duhet të parashikohet një ndryshim i Kushtetutës, por edhe të sigurohet që të mos ketë kërkesa shtesë, ai duhet të jetë detyrues dhe ndjesia është e tillë në Bashkimin Evropian. Qeveria vështirë se do të jetë në gjendje t'u shpjegojë votuesve nëse nuk ka garanci. Duhet të punojmë për të dhënë garanci dhe se nuk do të ketë kërkesa të reja", tha eurodeputeti austriak Vajc, i cili vjen nga të Gjelbërit.

Lidhur me kërkesën e Qeverisë për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar, Vajc shprehu dyshime se ato mund të kalojnë.

"Ajo që është legjitime është se Qeveria po kërkon qartësi për kërkesat, por nuk besoj se do të kalojë kërkesa për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar", tha Vajc.

Ai theksoi se duhet të gjenden garanci se nuk do të ketë më bllokime dhe se për momentin nuk e di zgjidhjen e saktë, por për pesë deri në gjashtë muaj mund të thotë një zgjidhje më konkrete.

Vajc vlerësoi se vendi u bë viktimë e çështjes dypalëshe me Bullgarinë, sepse negociatat nuk janë të lehta, por sepse rrethanat e reja gjeostrategjike pas pushtimit rus në Ukrainë, treguan se Ballkani Perëndimor nuk është diku jashtë, por në thelbin e Evropës.

Sa i përket progresit në reforma, Vajc tha se vendi po përparon më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por ajo që mungon është zbatimi i legjislacionit.

"Maqedonia e Veriut i zbaton reformat më herët se vendet e tjera të rajonit, ju keni përparim historik, mbi të cilin mund të ndërtoni. Por nëse prisni, për shembull, shtatë vjet për të nisur një proces gjyqësor, kjo nuk është një reformë në sistemin gjyqësor. Ka ende punë për të bërë. Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur, por puna nuk ka përfunduar", tha Vajc, duke shtuar se reformat janë të rëndësishme për qytetarët dhe jo vetëm në letër.

Lidhur me përbërjen e re të Komisionit Evropian, Vajc tha se Marta Kos është një zgjedhje e shkëlqyer për Komisaren Evropiane për Zgjerim dhe se ajo do të angazhohet që rajoni të bëhet pjesë e BE-së.

"Ne i dhamë Ukrainës statusin e kandidatit për arsye gjeostrategjike. Por nëse jemi realistë se cili shtet mund të bashkohet në vitet e ardhshme, janë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Ju mund të mbështeteni në angazhimin e Marta Kos", tha Vajc.

Në lidhje me bashkëpunimin rajonal dhe për Ballkanin e Hapur, Vajc tha se çdo bashkëpunim do të jetë më i fortë nëse veprojmë së bashku.

"Në parim, çdo bashkëpunim është i mirë, por kam dyshim se Ballkani i Hapur synon të forcojë ndikimin e Serbisë në rajon, është politikisht legjitime ta kërkosh këtë, por mua më duket si një proces alternativ i anëtarësimit në BE dhe një proces alternativ për procesin e Berlinit", tha Vajc.

Eurodeputeti gjerman Mihael Gahler dhe anëtari i Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, në takimin me gazetarët e Maqedonisë në PE në Strasburg, tha se ka iniciativa nga anëtarët e BE-së për zhbllokimin e procesit.

Ai theksoi se në bisedimet me eurodeputetët bullgarë ka krijuar përshtypjen se janë të orientuar drejt gjetjes së zgjidhjes dhe se, siç tha ai, nuk është në interesin e Bullgarisë as ta bllokojë procesin. sa/

Foto: MIA

 

  

QËNDRONI TË LIDHUR