• e enjte, 08 janar 2026

Vërshime në Kosovë, Kurti thotë se situata është nën kontroll

Vërshime në Kosovë, Kurti thotë se situata është nën kontroll

Prishtinë, 7 janar 2026 (MIA) - Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur sot se situata e shkaktuar nga përmbytjet në Kosovë për momentin është nën kontroll dhe se shërbimet kompetente janë të angazhuara vazhdimisht në terren. 

"Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme, si dhe për të mbështetur institucionet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara. Ministri Elbert Krasniqi ka komunikuar dhe ka qenë në kontakt me kryetarët e komunave më të prekura nga vërshimet, ndërkaq Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara”, ka shkruar Kurti në Fejsbuk, duke shtuar se në përballje me vërshimet, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ruajtjes së infrastrukturës kritike.

Sipas raporteve të deritanishme të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, komunat e prekura nga vërshimet e djeshme janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Podujeva, Shtimja, Graçanica, Gjakova, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Mamushë, Dragash, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Klina, Istogu, Juniku, Deçani dhe Peja. 

Sipas Kurtit, ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll. Përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze. 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR