• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ushtria izraelite: 700.000 palestinezë u larguan nga veriu i Gazës

Ushtria izraelite: 700.000 palestinezë u larguan nga veriu i Gazës

Tel Aviv, 21 tetor 2023 (MIA) - Rreth 700.000 palestinezë deri tani janë larguar në pjesën jugore të Rripit të Gazës pas thirrjes për evakuimin e civilëve në pjesën veriore të brezit bregdetar, kumtoi sot ushtria izraelite.

Civilët që mbeten në qytetin e Gazës dhe në pjesën veriore të territorit palestinez duhet të lëvizin në jug të rezervatit natyror Vadi Gaza për mbrojtjen e tyre, deklaroi zëdhënësi i Forcave të mbrojtjes izraelite (IDF), Daniel Hagari në një deklaratë televizive.

Izraeli do të intensifikojë sulmet ndaj caqeve ushtarake të Hamasit dhe objekteve të tyre administrative në veri, paralajmëroi ai: "Do të vazhdojmë të sulmojmë caqet që mund të përbëjnë një kërcënim për forcat tokësore në fazat e ardhshme të luftës".

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 1.4 milionë njerëz në Rripin e Gazës tashmë janë zhvendosur për shkak të bombardimeve izraelite.

Më shumë se 544,000 prej tyre kërkuan strehim nën kujdesin e Agjencisë së KB-së për ndihmë të refugjatëve palestinezë (UNRWA). Të tjerët janë në strehimore me familjen ose miqtë, gjithnjë sipas KB-së.

Izraeli njoftoi sot se qindra raketa të lëshuara nga militantët drejt Izraelit nuk kanë arritur objektivin e tyre dhe kanë goditur Gazën. Sipas zëdhënësit të IDF, Hagari më shumë se 550 nga rreth 7.000 raketa të lëshuara nga Gaza që nga fillimi i luftës kanë goditur vetëm territorin palestinez. Vetëm në 24 orët e fundit, rreth një e pesta e raketave të lëshuara kanë rënë në territorin palestinez. 

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR