• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Ushtria amerikane ka njoftuar se ka vrarë 15 luftëtarë të Shtetit Islamik në Irak

Ushtria amerikane ka njoftuar se ka vrarë 15 luftëtarë të Shtetit Islamik në Irak

Uashington, 31 gusht 2024 (MIA) - Ushtria amerikane mbrëmë kumtoi se së bashku me ushtrinë irakiane kanë kryer një sulm ndaj organizatës terroriste “Shteti Islamik” (SHI) në Irak dhe kanë vrarë 15 luftëtarë të saj.

"Ai grup xhihadistësh ishte i armatosur me armë të shumta, granata dhe rripa me eksploziv. Nuk ka të dhëna për viktima civile. Operacioni, i kryer në mëngjesin e së enjtes, por i publikuar të premten në mbrëmje, "shënjestroi liderët xhihadistë me qëllim që të pengonte dhe minonte aftësinë e grupit për të përgatitur, organizuar dhe kryer sulme ndaj civilëve në Irak", thuhet në kumtesën e ushtrisë amerikane.

Theksohet se Shteti Islamik “mbetet një kërcënim për rajonin, për aleatët amerikanë, si dhe për territorin kombëtar amerikan”.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 2500 trupa në Irak dhe gati 900 në Siri si pjesë e koalicionit ndërkombëtar të krijuar për të luftuar Shtetin Islamik.

Megjithëse autoritetet irakiane shpallën fitore mbi Shtetin Islamik në fund të vitit 2017, xhihadistët vazhdojnë të sulmojnë ushtarët dhe policinë në mënyrë sporadike, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta jashtë qyteteve të mëdha.

Më 15 gusht, Iraku njoftoi një vshtyrje të përfundimit të misionit të koalicionit ndërkombëtar antixhihadist të udhëhequr nga Uashingtoni në territorin e tij, duke e justifikuar shtyrjen me “zhvillimet e fundit në rajon”. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR