• e diel, 06 tetor 2024

Ushtarët izraelitë arritën deri në lagjen ku gjenden shtëpitë e liderëve të Hamasit

Ushtarët izraelitë arritën deri në lagjen ku gjenden shtëpitë e liderëve të Hamasit

Gaza, 19 nëntor 2023 (MIA) - Armata izraelite sot kumtoi se është përplasur me Hamasin në lagjen Rimal të Rripit të Gazës dhe ka zbuluar 35 hyrje që çojnë në rrjetin nëntokësor të tuneleve dhe qendrave komanduese të Hamasit dhe se është gjetur sasi e madhe e armëve.

Siç theksohet, në lagjen Rimal ka "rezidenca të zyrtarëve të lartë të Hamasit të cilët morën kontrollin e ndërtesave për të drejtuar aktivitetet luftarake", transmetojnë mediat izraelite.

Njësitë e parashutistëve, tanket dhe anëtarë të njësive inxhinierike luftarake kanë luftuar kundër Hamasit në Rimal dhe në lagjen Sheik Iglin.

Pjesa më e madhe e Rimalit, dikur një nga vendbanimet më të pasura, pësoi një shkatërrim të madh në sulmet ajrore.

Forcat izraelite gjithashtu hynë në një kamp ushtarak në lagjen Rimal dhe gjetën një depo armësh dhe shtatë raketahedhës.

Të shtunën, armata zgjeroi operacionet e saj në disa zona në pjesën veriore të Rripit të Gazës që konsiderohen si bastione të Hamasit, duke përfshirë lagjet Zejtun dhe kampin e refugjatëve Xhabalia.

Janë planifikuar operacione edhe në Shexhai ku Hamasi i shkaktoi humbje të mëdha armatës izraelite në luftën e mëparshme në vitin 2014.

Ushtria, megjithatë, njoftoi se të shtunën janë vrarë tre rezervistë, duke e çuar numrin e ushtarëve të vrarë që nga fillimi i operacioneve tokësore në Gaza më 27 tetor në 61.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit po zgjat tashmë 44 ditë, ndërsa ka filluar më 7 tetor pas sulmeve të papritura të militantëve palestinezë nga Gaza të cilët kaluan gardhin kufitar dhe hynë në territorin në jug të izraelit.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR