• e premte, 05 dhjetor 2025

Ursula Fon der Lajen: BE po zhvillon një plan për të zvogëluar varësinë nga lëndët e para kritike nga Kina

Ursula Fon der Lajen: BE po zhvillon një plan për të zvogëluar varësinë nga lëndët e para kritike nga Kina

Bruksel, 25 tetor 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian po zhvillon një plan të ri për të zvogëluar varësinë nga lëndët e para kritike nga Kina, deklaroi sot kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen. 

Ajo e kritikoi Pekinin zyrtar për zgjerimin e kufizimeve në eksportin e lëndëve të para kritike.

Bashkimi Evropian është përpjekur prej vitesh të zvogëlojë varësinë nga importet e lëndëve të para kritike nga Kina, duke përfshirë lëndët e para të nevojshme për kalimin në energji më të pastër, sektorin e mbrojtjes dhe prodhimin e automjeteve elektrike.

Fon der Lajen tha se do të përpiqet të përshpejtojë partneritetet për lëndët e para kritike me vende të tilla si Australia, Kanadaja, Kili, Grenlanda, Kazakistani, Uzbekistani dhe Ukraina.

"Plani do të përfshijë gjithashtu përpjekje më të mëdha për të ricikluar lëndët e para kritike në produktet e shitura në Evropë", tha ajo.

“Qëllimi është të sigurohet qasja në burime alternative të lëndëve të para kritike në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë për industritë tona evropiane”, deklaroi ajo në një konferencë në Berlin.

Skema, e quajtur RESourceEU, do të ishte e ngjashme me planin që BE-ja zhvilloi pas pushtimit të Moskës në Ukrainë në vitin 2022 për të zvogëluar varësinë e saj nga energjia ruse, e njohur si REPowerEU, tha ajo.

"Ne do të përqendrohemi në gjithçka, nga blerjet e përbashkëta deri te ruajtja. Do të rrisim investimet në projekte strategjike për prodhimin dhe përpunimin e lëndëve të para kritike këtu në BE", shtoi ajo.

Më 9 tetor, Kina vendosi kufizime në eksportin e metaleve të rralla tokësore dhe materialeve të baterive.

Qeveritë dhe analistët perëndimorë i shohin kufizimet në rritje si pjesë të përgjigjes së Kinës ndaj tarifave tregtare të vendosura nga SHBA-ja. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR