UNHCR-ja paralajmëron Gjermaninë për kontrollet e rrepta kufitare
- Agjencia e KB-së për refugjatë UNHCR ka shprehur shqetësimin në lidhje me vendimin e Gjermanisë për të përforcuar kontrollet kufitare për azilkërkuesit në kufijtë e vendit.
- Post By Fami Bajrami
- 12:13, 13 maj, 2025
Berlin, 13 maj 2025 (MIA) - Agjencia e KB-së për refugjatë UNHCR ka shprehur shqetësimin në lidhje me vendimin e Gjermanisë për të përforcuar kontrollet kufitare për azilkërkuesit në kufijtë e vendit.
Përfaqësuesja e UNHCR-së në Gjermani, Katarina Tote deklaroi për DPA se agjencia është e shqetësuar për masën e qeverisë për të ndaluar pranimin e kërkesave për azil në kufi.
Ajo theksoi se Gjermania është partner kyç i UNHCR-së me dekada dhe mbetet një vend i rëndësishëm i azilit në Evropë.
Kontrollet më të rrepta kufitare u futën me urdhër të ministrit të sapoemëruar të Punëve Brendshme, Aleksandar Dobrindt të mërkurën e kaluar me përjashtime për grupet e rrezikuara, duke përfshirë gratë në shtatzëni të avancuar, gratë me fëmijë të vegjël dhe personat me sëmundje serioze.
Masat u morën pasi që qeveria e udhëhequr nga konservatorët e kancelarit Fridrih Merc erdhi në pushtet, duke premtuar të mbante kontrollet e përkohshme kufitare që ishin tashmë në fuqi dhe të kthejë emigrantët ilegal në kufi, edhe nëse ata aplikojnë për azil.
"Mbyllja e kufijve të vendit për të gjithë azilkërkuesit mund të minojë parimin e shpërndarjes së drejtë", paralajmëroi Tote dhe i bëri thirrje Gjermanisë të respektojë marrëveshjet ekzistuese të BE-së për menaxhimin e kërkesave për azil.
Nga janari, 45.681 persona kanë aplikuar për azil në Gjermani për herë të parë - një rënie prej 84.984 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar që paraqet ulje prej 46 për qind. rq/
Foto: arkivi i MIA-s