• e enjte, 17 korrik 2025

UNHCR: Deri në fund të prillit rreth 122 milionë persona të zhvendosur me forcë në gjithë botën

UNHCR: Deri në fund të prillit rreth 122 milionë persona të zhvendosur me forcë në gjithë botën

Nju Jork, 12 qershor 2025 (MIA) - Komisari i lartë i KB-së për refugjatët (UNHCR) bëri të ditur sot se në mbarë botën ka 122.1 milionë njerëz të zhvendosur me forcë për shkak të luftës ose formave të tjera të dhunës.

Pas përmbysjes së presidentit sirian Bashar al-Asad dhe kthimit të një numri të madh të sirianëve në shtëpitë e tyre, numri i përgjithshëm i personave të zhvendosur me forcë në të gjithë botën ka rënë krahasuar me rekordin e vitit 2024, njofton KB-ja. Në fund të vitit 2024, një numër rekord prej 123.2 milionë njerëz në të gjithë botën u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, dhunës ose persekutimit.

Por deri në fund të prillit, ky numër ka qenë 122.1 milionë, sipas raportit vjetor të UNHCR-së, pasi gati dy milionë sirianë arritën të kthehen në shtëpitë e tyre. Pavarësisht kësaj, vazhdimi i këtij trendi do të varet kryesisht nga rezultati i konflikteve dhe krizave të mëdha me të cilat po përballet bota aktualisht dhe të cilat kanë detyruar shumë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

"Jetojmë në një kohë të paqëndrueshmërisë së madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare ku lufta moderne krijon një mjedis të brishtë dhe të vështirë të karakterizuar nga vuajtje të vazhdueshme njerëzore", tha komisari i lartë i KB-së për refugjatët, Filipo Grandi.

"Duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur paqen dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për refugjatët dhe të gjithë të tjerët që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre", veçanërisht pasi fondet po shterojnë, dhe jo vetëm për shkak të tërheqjes së papritur të ndihmës humanitare nga ana e SHBA-së.

Fajtorët kryesorë për zhvendosjen e detyruar janë ende konfliktet e mëdha botërore si Sudani, Mianmari, Ukraina.

Sipas agjencisë së KB-së, deri në fund të vitit 2025, një milion e gjysmë sirianë mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe dy milionë të tjerë, sa janë zhvendosur brenda vendit.

Sudani, ku nga mesi i prillit 2023 ka luftë qytetare, ndërsa kriza humanitare dhe ushqimore ka detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, tani është vendi me numrin më të madh të personave të zhvendosur me forcë - deri në 14.3 milionë.

Por mbetet çështja e financimit e cila duhet të jetë e mjaftueshme për të garantuar kthim "të sigurt dhe dinjitoz" për të gjithë, por KB-ja, si shumë organizata të tjera humanitare, përballet me krizë të madhe financiare.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR