• e shtunë, 14 dhjetor 2024

UNHCR: Deri më tani vetëm disa mijë refugjatë janë kthyer në Siri

UNHCR: Deri më tani vetëm disa mijë refugjatë janë kthyer në Siri

Gjenevë, 13 dhjetor 2024 (MIA) - Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) sot ka njoftuar se refugjatët sirianë ende nuk kthehen në atdhe.

"Rreth 3.000 të kthyer e kanë kaluar kufirin turk nga fundjava e kaluar, kur ka rënë regjimi i Bashar al Asad. Ditën paraprake, 2.000 të kthyer e kanë kaluar kufirin nga Libani", deklaroi përfaqësuesi i UNHCR-së, Gonzalo Vargos Losa përmes një video lidhje nga Damasku.

Ai shtoi se numër i madh i refugjatëve sirianë e shtyjnë kthimin e tyre për shkak se në Siri ende nuk është vendosur ligji dhe rendi. Sipas Losës, të kthyerit dëshirojnë jo vetëm tranzicion të qetë politk dhe pajtim pas viteve të luftës civile, por edhe ndihmë ndërkombëtare për rindërtimin e  vendit.

UNHCR njoftoi dje se në vitin 2023, rreth 6,4 milionë sirianë ishin larguar nga vendi, nga të cilët 5,1 milionë jetojnë në vendet fqinje - Egjipt, Irak, Jordani, Liban dhe Turqi. Në Turqi ka 3,2 milionë sirianë, 784.900 në Liban, 705.000 në Gjermani dhe pothuajse 650.000 në Jordani. Ndërsa 7,2 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda vendit.

Sipas OKB-së, 13 milionë njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë siriane, po përballen me mungesë ushqimi. Përafërsisht 96 për qind e popullsisë jeton me më pak se shtatë dollarë në ditë. Lufta ka shkatërruar infrastrukturën kryesore të vendit, nga kujdesi shëndetësor te sistemet e ujërave të zeza dhe rrjetet elektrike. Vitin e kaluar, mbi 40 për qind e spitaleve nuk ishin plotësisht funksionale. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR