• e premte, 05 dhjetor 2025

UNESKO kërkon qasje në arsim për gratë afgane

UNESKO kërkon qasje në arsim për gratë afgane

Paris, 15 gusht 2025 (MIA) - Agjencia për kulturë dhe arsim e Kombeve të Bashkuara, UNESKO, dje i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të kryejë presion ndaj talebanëve ta kthejnë arsimin e grave në Afganistan, katër vjet pasi grupi e mori pushtetin.

"Në kohën kur disa tentojnë t'i normalizojnë marrëdhëniet me talebanët, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbetet më i mobilizuar se kurrë më parë për kthimin e plotë dhe pa kushte të së drejtës së arsimit të grave afgane", tha Odri Azulej, drejtoreshë e përgjithshme e UNESKO-s.

Azulej tha se, pasi e mori pushtetin në gusht të vitit 2021, talebanët lëshuan 70 dekrete me të cilat kufizojnë të drejtat e vajzave dhe grave, veçanërisht në arsim.

"Sot, Afganistani, për fat të keq, dallohet si vendi i vetëm në botë ku arsimi i mesëm dhe i lartë është rreptësisht i ndaluar për vajzat dhe gratë, vazhdoi drejtoresha e përgjithshme e UNESKO-s.

Sipas UNESKO-s, rreth 2,2 milionë gra të reja janë privuar nga e drejta e arsimit në Afganistan pas kthimit të talebanëve.

Azulaj paralajmëroi se gjithë gjenerata e grave afgane është në rrezik, edhe krahas përmirësimeve të dukshme në shkrim-lexim dhe ndjekjen e shkollës në 20 vitet e fundit me mbështetjen e UNESKO-s.

"Gjithë gjenerata e grave afgane është sakrifikuar", tha ajo.

Talebanët u kthyen në pushtet në gusht të vitit 2021 gjatë tërheqjes kaotike të forcave ndërkombëtare.

Nën udhëheqjen e talebanëve, grave u ndalohet qasja në arsim nga klasa e shtatë e më tutje. Në dhjetor, regjimi islamik u ndaloi grave edhe trajnimin në fushën e mjekësisë, edhe pse disa shkolla ende ofrojnë orë për vajzat më të mëdha, në kundërshtim me urdhrin. sa/ 

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR