Ulje e efikasitetit të Gjykatës së Apelit në Gostivar për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve
Gostivar, 25 tetor 2022 (MIA)- Gjykata e Apelit në Gostivar për shkak të numrit të vogël të gjykatësve përballet me ulje të efikasitetit, por për nga cilësia e vendimmarrjes rreth lëndëve është ndër më të mirat në vend. Vlerësimin për punën në nëntëmujorin e këtij viti e ka dhënë kryetari i gjykatës, Bekim Mehmedi në takimin me studentë të drejtësisë dhe gazetarë me rastin e 25 Tetorit, Ditës evropiane të së drejtës civile.
Në këtë gjykatë e cila vendos mbi ankesat e aktgjykimeve të Gjykatave themelore të Gostivarit, Tetovës, Kërçovës dhe Dibrës, këtë vit janë pranuar 3.386 lëndë prej të cilave 2.438 janë zgjidhur.
"Rritja e numrit të lëndëve ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin. Kjo është kështu, sepse kemi një numër më të vogël gjyqtarësh se sa parashihet me sistematizimin. Në vend të 15 dhe një kryetari, ne prej kohësh funksionojmë me dhjetë gjykatës", tha Mehmedi.
Ai pret që së shpejti të plotësohen dy vende të gjykatësve në pjesën penale, por siç thotë ai, ndryshimet lidhur me përzgjedhjen e gjyqtarëve po e zvarrisin procedurën.
Edhe pse numri i lëndëve të pazgjidhura është pothuajse një mijë (948), sipas numrit një të Gjykatës së Apelit të Gostivarit, gjyqtarët e ngritën cilësinë, konkretisht numrin e vendimeve të konfirmuara nga Gjykata e Lartë.
"Mund të mburremi me tendencën e ngritjes së nivelit në vendimmarrje. Vitin e kaluar përqindja ka qenë 73 për qind, ndërsa sivjet që nga tetori kjo përqindje është pothuajse 80%, që tregon se kolegët punojnë në mënyrë profesionale dhe në kohë", tha Bekim Mehmedi, kryetar i Gjyqit të Apelit -Gostivar.
Ai thotë se në këtë trend pozitiv ka ndikuar edhe përmirësimi i funksionimit të departamentit të praktikës gjyqësore. Mehmedi pret rezultate më të mira me plotësimin e vendeve të lira dhe instalimin e pajisjeve moderne në sallat e gjyqit, projekt ky që duhet të fillojë së shpejti të realizohet.
Në Gjykatën e Apelit të Gostivarit ka 45 të punësuar ku katër gjyqtarë punojnë në materien penale, ndërsa shtatë në lëndët civile. qa/