• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Ulja shtesë e TVSH-së nuk do të ketë ndikim të madh në çmimin e rrymës, me rëndësi është të kursehet, porositi Kovaçevski

Ulja shtesë e TVSH-së nuk do të ketë ndikim të madh në çmimin e rrymës, me rëndësi është të kursehet, porositi Kovaçevski
Shkup, 28 gusht 2022 (MIA) - Ulja shtesë e TVSH-së nuk do të kishte ndikim të madh në çmimin e energjisë elektrike, pasi ajo në tregun e lirë është mbi 1000 euro, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski lidhur me kërkesat e sektorit të biznesit për zbutjen e ndikimit të çmimeve të larta të energjisë elektrike për kompanitë. “Lidhur me uljen e TVSH-së, tashmë është ulur për energjinë elektrike. Nëse është e nevojshme do të ulet sërish, por kjo nuk do të kishte ndikim të madh në çmimin e energjisë elektrike kur e dimë se ajo është mbi 1000 euro e vendosur në tregun e lirë. Sa i përket marzhave të tregtarëve për energjinë elektrike, së pari duhet të bëhet një analizë nga ana e Komisionit rregullator për të parë sa të larta janë ato marzhe dhe nëse ka fare marzhe për këto çmime të energjisë elektrike”, tha sot Kovaçevski pas lëshimit në përdorim të sistemit të ujitjes “Slavishko pole” në Komunën e Rankovcit. Ai theksoi se kjo çështje tashmë është shqyrtuar në Këshillin ekonomik dhe sapo t'i kenë përllogaritjet, Qeveria do të intervenojë në atë aspekt. Kryeministri theksoi se kyçe në periudhën e ardhshme është të bëhet kursim i energjisë elektrike kudo që është e mundur. “Gjendemi në një periudhë kur çmimet e energjisë elektrike janë më të larta se çdo logjikë ekonomike, flas për mbarë kontinentin evropian dhe atë që kanë si detyrë të gjitha dikasteret në Qeveri dhe kompanitë që janë në pronësi shtetërore, atë do të duhet ta dorëzojnë në mënyrë që të ketë furnizim të pandërprerë të energjisë elektrike”, shtoi kryeministri Kovaçevski.

QËNDRONI TË LIDHUR