• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Ukraina njofton se ka rrëzuar një avion ushtarak rus

Ukraina njofton se ka rrëzuar një avion ushtarak rus

Kiev, 3 mars 2023 (MIA) - Ushtria ukrainase pretendon se sot ka rrëzuar një avion luftarak- bombardues rus Su-34 në rajonin e Donjeckut, ndërsa Rusia konfirmoi rrëzimin e avionit dhe shtoi se "dy pilotët kanë katapultuar", por nuk ka precizuar se i kujt ishte avioni, as edhe për çfarë modeli bëhet fjalë.

Sipas Forcave ajrore të Ukrainës, një avion luftarak rus është rrëzuar në lindje të Donjeckut, i goditur në afërsi të qytetit Jenakiev, rreth 50 kilometra nga qyteti i Donjeckut, në territorin e kontrolluar nga Rusia, transmeton Si-En-En.

Zyrtari ushtarak rus, majori Roman Kramenkov përmes kanalit të tij në Telegram njoftoi se "një avion është rrëzuar" mbi Jenakiev, në të ashtuquajturën Republika Popullore e Donjeckut, raporton TASS. Sipas tij, dy pilotët me sukses kanë katapultuar, por origjina e avionit nuk është e qartë.

Si-En-En kumtoi se nuk mund të konfirmonte pretendimet e Forcave ajrore ukrainase për origjinën e avionit dhe modelin.

Majori rus në Telegram postoi një imazh tymi të zi që ngrihej jo shumë larg nga disa ndërtesa dhe rrugë në qytetin Jenakiev dhe tha se është duke u zhvilluar hetim.

Kramenkov tha se ka vizituar vendin e fatkeqësisë, por që për momentin nuk është e mundur të ketë qasje në mbetjet e avionit.

"Avioni është rrëzuar, ka tym, zjarr. Ne pamë se si dy pilotë katapultohen me parashuta", deklaroi majori rus për televizionin shtetëror rus.

Sipas tij, nuk ka të lënduar pasi avioni është rrëzuar në një fermë bujqësore.

QËNDRONI TË LIDHUR