Ukraina mohon se Rusia kontrollon 80 për qind të Bahmutit
- Ushtria e Ukrainës e ka hedhur poshtë si të rremë pretendimin e Rusisë se kontrollon 80 për qind të Bahmutit, duke thënë se forcat ukrainase kontrollojnë "dukshëm më shumë" se 20 për qind të qytetit në lindje të vendit.

Kiev, 12 prill 2023 (MIA) - Ushtria e Ukrainës e ka hedhur poshtë si të rremë pretendimin e Rusisë se kontrollon 80 për qind të Bahmutit, duke thënë se forcat ukrainase kontrollojnë "dukshëm më shumë" se 20 për qind të qytetit në lindje të vendit.
Themeluesi i kompanisë ushtarake private ruse Vagner Jevgenij Prigozhin tha më parë se forcat e tij po përparonin për të kapur Bahmutin dhe kontrollonin 80 për qind të qytetit.
Rusia beson se kapja e Bahmutit do të hapë mundësinë e ofensivave të ardhshme në të gjithë Ukrainën, ndërsa Kievi dhe Perëndimi thonë se qyteti i shkatërruar ka vetëm kuptim simbolik.
Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandar Sirski, tha më herët dje se rusët në Bahmut kanë filluar të përdorin taktikat e "tokës së djegur" që përdorën në Siri dhe shtoi se situata në qytet është e vështirë, por nën kontroll.
"Armiku kaloi në të ashtuquajturën taktikë “toka e djegur siriane”. Ata shkatërrojnë ndërtesa dhe pozicione me sulme ajrore dhe zjarr artilerie. Mbrojtja e Bahmutit vazhdon. Situata është e vështirë, por nën kontroll, tha Sirski.
Sirski theksoi se ushtarët ukrainas i lodhën anëtarët e grupit paraushtarak rus Vagner, kështu që Rusia u detyrua të përfshijë forcat speciale dhe njësitë ajrore në betejën për Bahmut.
Përndryshe, "toka e djegur" është një emër për një strategji ushtarake në të cilën gjithçka që mund të jetë e dobishme për armikun shkatërrohet qëllimisht gjatë tërheqjes. ls/
Foto: Gugëll map