• e premte, 05 dhjetor 2025

Ukraina gjatë dimrit do të furnizohet me gaz natyror të lëngshëm nga Greqia

Ukraina gjatë dimrit do të furnizohet me gaz natyror të lëngshëm nga Greqia

Athinë, 16 nëntor 2025 (MIA) – Marrëveshje për transportin e gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG) nga Greqia në Ukrainë u nënshkrua sot në Athinë nga kompanitë shtetërore greke dhe ukrainase "DEPA" dhe "Naftogaz" në prani të kryeministrit grek Kiriakos Micotakis, presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, ministrit grek të Mjedisit dhe Energjisë, Stavros Papastavru dhe ambasadores së SHBA-së në vend Kimberli Gilfojl, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Presidenti ukrainas ndodhet për vizitë pune njëditore në Greqi dhe u takua me presidentin grek dhe kryeministrin grek, ndërsa fokusi ishte energjia dhe sigurimi i gazit natyror për vendin gjatë periudhës së dimrit, mbështetja greke për Ukrainën, si dhe rindërtimi i vendit.

Pas takimit në Pallatin e kryeministrit, Micotakisi dhe Zelenski morën pjesë në nënshkrimin e Deklaratës së qëllimit midis "DEPA"-s greke dhe "Naftogaz" të Ukrainës për të furnizuar Ukrainën me LNG amerikane e cila, sipas burimeve qeveritare greke i referohet periudhës nga dhjetori 2025 deri në mars 2026 dhe "paraqet një kontribut kyç në sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike rajonale dhe evropiane dhe paralelisht mbështet Ukrainën në periudhën e vështirë të dimrit".

Marrëveshja parashikon transportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA nëpërmjet Rrugës 1 të cilën bashkërisht e sigurojnë operatorët e sistemit të transmetimit të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Moldavisë dhe Ukrainës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri grek dhe presidenti ukrainas iu referuan mbështetjes së Greqisë për Ukrainën në të gjitha nivelet në pothuajse katër vitet e fundit që nga fillimi i invazionit rus dhe në të njëjtën kohë, të dy theksuan rëndësinë e marrëveshjes së sotme midis dy kompanive.

Zelenski, si në takimin me presidentin grek, ashtu edhe në takimin me Micotakisin, falënderoi Greqinë për mbështetjen e saj.

Vizita e sotme e kryeministrit ukrainas në Athinë për shkaqe sigurie u njoftua zyrtarisht këtë mëngjes dhe me vendim të policisë greke nga ora 6 e mëngjesit të sotëm deri në orën 22 janë ndaluar tubimet dhe protestat në qendër të qytetit si dhe në disa lagje të Athinës. 

Foto: MIA/Kabineti i kryeministrit grek

 

QËNDRONI TË LIDHUR