Uens: Bajden, Obama dhe Bush e kanë fshehur rastin Epstin
- Nënpresidenti amerikan Xhej Di Uens sot deklaroi se presidenti i SHBA-së, Donald Tramp dëshiron "transparencë të plotë" në rastin Xhefri Epstin dhe se, siç tha, ish presidentët Xhozef Bajden, Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush "e kanë fshehur këtë rast".
- Post By Besnik Shuki
- 21:31, 28 korrik, 2025
Uashington, 28 korrik 2025 (MIA) - Nënpresidenti amerikan Xhej Di Uens sot deklaroi se presidenti i SHBA-së, Donald Tramp dëshiron "transparencë të plotë" në rastin Xhefri Epstin dhe se, siç tha, ish presidentët Xhozef Bajden, Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush "e kanë fshehur këtë rast".
"Presidenti urdhëroi prokurorin shtetëror që t'i publikojë të gjitha informatat e besueshme dhe, sinqerisht, të gjejë informata shtesë të besueshme lidhur me rastin Xhefri Epstin. Ai ishte tejet transparent lidhur me këto punë, por disa prej tyre kërkojnë kohë", tha Uens në fjalimin në Kanton, në shtetin federal Ohajo, njoftoi Si-En-En.
Ai shtoi se "vazhdimisht" bisedon me prokuroren shtetërore Pam Bondi, e cila "në këtë momet po punon në këtë çështje".
Në të njëjtën kohë, Uens akuzoi administratat e mëparshme për pasivitet.
"Administratat e Obamës dhe Bushit ishin të butë ndaj Epstinit, të cilin me të drejtë e quajmë një financier të turpëruar dhe pleh pedofili. Ata nuk e hetuan plotësisht çështjen, nuk treguan kuriozitet për të, e tani Donald Tramp po kërkon që Ministria e tij e Drejtësisë të tregojë transparencë të plotë - dhe kjo përdoret disi si kritikë ndaj Trampit, e jo ndaj Barak Obamës dhe Xhorxh W. Bushit", tha Uens.
Gjatë administratës së Bushit, prokurori amerikan Aleks Akosta - i cili më vonë do të bëhet pjesë e administratës së parë të Trampit si sekretar i punës - refuzoi ta ndjek penalisht Epstinin, duke i mundësuar të shmang akuzat federale.
Xhefri Epstin vdiq në një qeli burgu në Nju-Jork në vitin 2019, derisa priste gjyqin për akuzat e trafikimit me qenie njerëzore për eksploatim seksual. Ai paraprakisht u dënua për joshjen e një vajze të mitur. Vdekja e tij zyrtarisht është shpallur vetëvrasje.
Tramp më parë mohoi raportet e mediave se ishte i informuar se emri i tij është përmendur në dosjet e Epstinit, duke thënë se nuk ishte "në dijeni" për ekzistencën e një letre të pahijshme, ku u shfaq emri i tij dhe e cila, sipas një raporti të Uollstrit Xhërnal, ishte përfshirë në një album ditëlindjeje, të cilin në vitin 2003 për shkelësin e dënuar për krime seksuale, e ka përgatitur partnerja e tij e atëhershme, Gislejn Maksuel. bsh/
Foto: MIA arkiv