• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Tusk: Gabim i pafalshëm nëse Hungaria e pengon Suedinë të inkuadrohet në NATO

Tusk: Gabim i pafalshëm nëse Hungaria e pengon Suedinë të inkuadrohet në NATO

Varshavë, 19 shkurt 2024 (MIA) - Kryeministri polak Donald Tusk pas bisedës me kryeministrin suedez Ulf Kristerson në Varshavë deklaroi se do të ishte gabim i pafalshëm nëse Hungaria do të vendosë veto ndaj inkuadrimit të Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore.

"Do të ishte gabim i pafalshëm nëse një vend anëtar i NATO-s bllokon një vend tjetër i cili dëshiron në mënyrë aktive të punojë në interes të sigurisë sonë të përbashkët. Suedia mund të mbështetet te Polonia", tha Tusk në konferencën për shtyp.

Kryeministri polak tha se me Kristerson ka diskutuar për çështje të sigurisë, veçanërisht për Detin Baltik, që është një obligim i përbashkët i Suedisë dhe Polonisë.

"Kemi qëndrim të njejtë ndaj agresionit rus kundër Ukrainës. Nuk e dimë se cilët do të jenë skenarët, por e dimë se Evropa, SHBA, gjithë pakti i NATO-s duhet të jenë solidarë, përgjegjës dhe të veprojnë krah për krahë. Nuk ka hapësirë për dyshime dhe jolojalitet", deklaroi Tusk.

Kristerson apeloi te Bashkimi Evropian të vendosë pako të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të liderit opozitar rus Aleksej Navalni, për vdekjen e të cilit ai fajësoi presidentin rus Vlladimir Putin si personalisht përgjegjës.

"Putini duhet të sillet para drejtësisë. Ne jetojmë në një realitet të ri, të mbushur me rrezik dhe duhet të forcojmë përgjegjësinë tonë për sigurinë dhe të rrisim prodhimin e armëve", tha Kristerson.

Kryeministrat diskutuan edhe për përforcimin e bashkëpunimit në parandalimin e presionit migrues të kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë.

"Mbrojtja e kufirit tonë me Rusinë dhe Bjellorusinë është gjithashtu pjesë e mbrojtjes sonë si të tillë, sepse të dy regjimet përdorin migrimin e paligjshëm si një armë të re, specifike të luftës hibride", tha kryeministri polak. sa/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR