• e hënë, 23 dhjetor 2024

Turqia thotë se sulmuesi në Ankara ishte anëtar i PPK-së

Turqia thotë se sulmuesi në Ankara ishte anëtar i PPK-së

Ankara, 24 tetor 2024 (MIA) – Një nga sulmuesit e armatosur i cili u vra në sulmin në kompaninë shtetërore turke të mbrojtjes TUSASH në afërsi të Ankarasë është identifikuar si pjesëtar i Partisë Punëtore Kurde (PPK), deklaroi sot një funksionar i qeverisë turke.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja, në platformën sociale Iks njoftoi se identiteti i sulmuesit të dytë, i cili gjithashtu është likuiduar, ende po hetohet. 

PPK, të cilën Ankaraja, BE-ja dhe SHBA-ja e konsiderojnë organizatë terroriste, nuk e mori përgjegjësinë për sulmin e djeshëm.

Dy sulmuesit – një burrë dhe një grua – vranë pesë persona, kryesisht të punësuar në Industrinë turke të hapësirës ajrore (TUSASH), dhe plagosën 22 persona. 

TUSASH është kompani shtetërore për armë dhe teknologji ajrore me seli në afërsi të Ankarasë. Kjo kompani prodhon aeroplanë dhe helikopterë luftarakë dhe civilë, si dhe sisteme për fluturake pa pilot për forcat e armatosura turke dhe për tregje të huaja. 

Sulmuesit ishin vrarë nga ana e pjesëtarëve të forcave të sigurisë. 

Mediat turke njoftuan se sulmuesit kishin arritur në vendin e sulmit me taksi, ndërsa shoferi ishte vrarë. Ata kishin hyrë në selinë e kompanisë me çanta në shpinë dhe pushka. 

Turqia gjatë natës filloi sulme ajrore ndaj militantëve të PPK-së në veri të Sirisë dhe Irakut, duke vrarë 59 militantë, si përgjigje për atë sulm, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR