• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Turqia kryeson në botë për sa i përket pronësisë së monedhave digjitale, Argjentina menjëherë pas saj

Turqia kryeson në botë për sa i përket pronësisë së monedhave digjitale, Argjentina menjëherë pas saj

Londër, 2 maj 2023 (MIA) - Kriptovalutat e paqëndrueshme po bëhen, siç duket, strehë të sigurta për kapitalin në disa pjesë të botës, si Argjentina dhe Turqia, ku inflacioni i lartë dhe rënia e monedhave lokale i kanë detyruar qytetarët të kërkojnë shpëtim në paratë digjitale, thekson Hina.

Për sa i përket pronësisë së monedhës digjitale në botë, Turqia kryeson me një pjesë prej 27,1 për qind, e ndjekur nga Argjentina me 23,5 për qind, që është dukshëm më e lartë se norma e vlerësuar globale prej 11,9 për qind, tregojnë të dhënat nga firma kërkimore GWI.

Përveç pozicioneve udhëheqëse në botë në adoptimin e kriptomonedhave, ajo që Turqia dhe Argjentina kanë të përbashkët është se kanë edhe inflacion të lartë, i cili ka çuar në një rënie të normave të monedhës kombëtare dhe kontrolleve të fluksit të kapitalit për të dekurajuar vendasit që të marrin para jashtë. Norma vjetore e inflacionit në Turqi në muajin mars arriti në 50,51 për qind, ndërsa në Argjentinë madje 104 për qind.

Lira turke dhe pesoja argjentinase po bien në nivele rekord. Tregu i zi, për shembull, kap rreth 464 pesos për një dollar amerikan, më shumë se dyfishi i kursit zyrtar të këmbimit prej 222 pesos për dollar.

Një pjesë e madhe e blerjes së të ashtuquajturave strehë të sigurta janë kriptovalutat si USD Coin (USDC) dhe Tether (USDT), të cilat janë kripto token të lidhura një me një me asetet tradicionale si dollari amerikan ose ari, që u mundëson investitorëve një alternativë kur nuk ka mjaftushëm dollarë.

"Pavarësisht nëse janë investitorë me pakicë apo investitorë institucionalë, njerëzit po mendojnë se si të mbrohemi nga zhvlerësimi i monedhës”, tha Ehab Zaglul, hulumtues kryesor në Tribal Credit, një platformë pagesash digjitale për startup-et e tregjeve në zhvillim. "Ata potencialisht duan të mbajnë aktive shtesë të lidhura me një monedhë më të fortë, kështu që diçka si USDC ose USDT ose ndonjë gjë e lidhur me një monedhë më të fortë si dollari amerikan," shtoi ai.

Vëllimi i tregtimit me çiftin USDT-lira turke arriti në nivelin më të lartë disa mujor javën e kaluar, i nxitur nga dobësimi i monedhës turke dhe zgjedhjet e ardhshme kryesore presidenciale dhe parlamentare, tha analistja e Kaiko, Desislava Obert.

"Në përgjithësi, ka një tendencë më të madhe të pranohen kriptomonedha në vendet me kufizime kapitali dhe paqëndrueshmëri financiare dhe politike," thonë analistët nga kompania kërkimore K33 Research. ls/

Foto: MIA arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR