• e shtunë, 06 korrik 2024

Trudo kërkoi falje që Parlamenti kanadez me ovacione përshëndeti një personalitet që luftoi në anën e nazistëve

Trudo kërkoi falje që Parlamenti kanadez me ovacione përshëndeti një personalitet që luftoi në anën e nazistëve

Toronto, 28 shtator 2023 (MIA) - Kryeministri kanadez Xhastin Trudo mbrëmë kërkoi falje që në Parlamentin e vendit të tij u nderua njeriu që luftoi në anën e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore gjatë një fjalimi të presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski javën e kaluar.

Trudo ka thënë se kryetari i Dhomës së Poshtme të Parlamentit, Entoni Rota i cili të martën dha dorëheqje është i vetmi si përgjegjës" për ftesën dhe dhënie të mirënjohjes së atij njeriu, ndërsa vlerësoi se është një gabim që turpëroi thellësisht parlamentin dhe Kanadanë.

"Të gjithë ne që ishim në Dhomën e përfaqësuesve të premten na vjen keq që duartrokitëm, edhe pse e bëmë këtë pa qenë në dijeni për kontekstin", tha Trudo para se të hyjë në Dhomën e përfaqësuesve, duke shtuar se "ishte një përdhosje e tmerrshme e kujtimit të miliona njerëzve që vdiqën në holokaust dhe ishte thellësisht, thellësisht e dhimbshme për popullin hebre”.

Trudo përsëriti faljen e tij nga foltorja e Parlamentit.

Menjëherë pasi Zelenski mbajti fjalim në Dhomën e poshtme të premten, deputetët kanadezë i dhanë ovacione dhe përshëndetën 98-vjeçarin Jaroslav Hunka kur Entoni Rota e ktheu vëmendjen tek ai.

Rota e prezantoi Hunkën si një hero lufte i cili luftoi për Divizionin e parë ukrainas.

Gjatë fundjavës u paraqitën fakte se Divizioni i parë ukrainas njihej si Divizioni Vafen-SS Galicia - ose Divizioni Vafen SS i 14-të- njësia vullnetare nën komandën e nazistëve.

"Është jashtëzakonisht shqetësuese të mendosh se si ky gabim i madh politizohet nga Rusia dhe mbështetësit e saj për të përhapur propagandë të rreme për atë për të cilën po lufton sot Ukraina", tha Trudo.

 

QËNDRONI TË LIDHUR