• e premte, 05 dhjetor 2025

Tre të vdekur, dhjetëra të lënduar në aksidentin e djeshëm hekurudhor në jugperëndim të Gjermanisë

Tre të vdekur, dhjetëra të lënduar në aksidentin e djeshëm hekurudhor në jugperëndim të Gjermanisë

Shtutgard, 28 korrik 2025 (MIA) - Tre persona humbën jetën, ndërsa rreth 50 të tjerë u plagosën, prej të cilëve 25 rëndë, në aksidentin hekurudhor që ndodhi mbrëmë pranë Ridlingenit, në krahinën federale Baden-Virtemberg, njoftuan autoritetet gjermane.

Në mesin e viktimave janë makinisti dhe një punonjës tjetër i kompanisë shtetërore hekurudhore Dojçe Ban. Aksidenti ndodhi rreth orës 18:10, kur të paktën dy vagonë të një treni rajonal të linjës RE 55 dolën nga shinat.

Treni po lëvizte nga Zigmaringen drejtë Ulmit, rreth 45 kilometra në juglindje të qytetit, i cili ndodhet në kufi me Bavarinë. Në momentin e aksidentit, në rajon ka pasur stuhë të fuqishme, dhe po shqyrtohet mundësia për një rrëshqitje të dheut si shkak i mundshëm i aksidentit, njoftoi policia e Ulmit.

Drejtori i përgjithshëm i Dojçe Ban, Rihard Luc, njoftoi se do të vizitojë sot vendin e aksidentit për t'u informuar nga burimet e para dhe për t'u falënderuar shërbimeve. Ai shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të lënduarve.

Kancelari gjerman, Fridrih Mec, kryeministri i Baden-Virtemberg, Uinfrid Kreçman dhe ministri i Punëve të Brendshme, Tomas Shtrobl, i cili gjithashtu ishte në terren, shprehën tronditje dhe ngushëllime.

Komunikacioni hekurudhor ndërmjet Munderkingen dhe Zigmaringen është ndërprerë për një periudhë të pacaktuar. qa/

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR