• e diel, 22 dhjetor 2024

Tre rrjete televizive turke gjobiten për kritikat ndaj autoriteteve pas tërmeteve

Tre rrjete televizive turke gjobiten për kritikat ndaj autoriteteve pas tërmeteve

Ankara, 22 shkurt 2023 (MIA) - Këshilli i Lartë i Komunikimit Audiovizual të Turqisë gjobiti tre rrjete televizive që kritikuan trajtimin e qeverisë për pasojat e tërmetit që goditi jugun e vendit më 6 shkurt.

Televizionet “Halk TV”, “Tele 1” dhe “Foks” janë gjobitur dhe u është ndaluar transmetimi i përkohshëm për shkak të “informacioneve dhe komenteve për tërmetin”, ka shkruar në Tuiter Ilhan Tashçi, anëtar i RTUK-së nga opozita, raportoi Hina.

“Halk TV” dhe “Tele 1” janë dënuar me 5 për qind të qarkullimit në muajin janar dhe me pesë ditë ndalim të transmetimit të programit ditor.

"Foks TV"u dënua me tre për qind të qarkullimit në janar.

Të tre rrjetet janë të njohura për kritikat e qeverisë së presidentit Rexhep Taip Erdogan, ndërsa TV Halk është veçanërisht e afërt me opozitën kryesore Partinë Republikane Popullore (CHP).

Opozita dhe mediat e pavarura kritikojnë Qeverinë për mungesën dhe reagimin e dobët në ditët e para pas tërmetit, i cili ishte me magnitudë prej 7.8 ballë të shkallës Rihter.

Erdogan pranoi javën e kaluar se kishte pasur "dështime" në organizimin e ndihmës, duke përmendur forcën e tërmetit si justifikim.

"Paaftësia e tyre u kushtoi jetën dhjetëra mijëra bashkatdhetarëve tanë", tha kryetari i CHP-së Kemal Kiliçdaroglu.

Turqia, e cila tetorin e kaluar miratoi një ligj që e bënte të dënueshme deri në tre vjet burg publikimin e "lajmeve të rreme", u rendit e 149-ta në vitin 2022 për sa i përket lirisë së medias nga 180 vende, njoftuan "Reporterët pa Kufij" (RSF). sa/

QËNDRONI TË LIDHUR