Tre nga 12 objektet e verifikuara me licenca do të mbyllen për shkak të mosplotësimit të kushteve teknike
- Tri objekte me licencë të vlefshme për kabare, klub nate ose diskotekë do t'u ndalohet të funksionojnë dhe do ta humbasin licencën për shkak se nuk i plotësojnë kushtet minimale teknike për kryerjen e veprimtarisë.
- Post By Melahat Baftija
- 14:26, 19 mars, 2025

Shkup, 19 mars 2025 (MIA) - Tri objekteve me licencë valide për kabare, klub nate ose diskotekë do t'u ndalohet të funksionojnë dhe do ta humbasin licencën për shkak se nuk i plotësojnë kushtet minimale teknike për kryerjen e veprimtarisë.
Nga 22 objekte të tilla për të cilat dje është komunikuar se kanë licenca aktive, inspeksioni tek 12 i ka kontrolluar kushtet teknike, ku është konstatuar se që të trija objektet nuk i plotësojnë ato. Inspektorati i Tregut vazhdon kontrollin në terren për kontroll teknik edhe të dhjetë objekteve të mbetura të licencuara.
Informacionet e reja nga terreni i bëri të ditur sot në një konferencë për shtyp zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva.
Njoftoi se do të dërgohet menjëherë kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë për heqjen e licencës për tre objektet, ndalimin e kryerjes së veprimtarisë dhe, siç tha, "do të merren të gjitha dispozitat ndëshkuese që janë të mundshme konform ligjit".
Theksoi se inspektimet në terren vazhdojnë edhe sot dhe nesër dhe po kryhen nga mbi dhjetë ekipe.
"Do të kontrollohen të gjithë deri në detajin e fundit. Gjithashtu është bërë një plan për të kontrolluar ata që nuk kanë licencë të vlefshme, por kanë punuar në të kaluarën. Ajo që ndodhi në Koçan nuk është vetëm një tragjedi e izoluar, por një simptomë e një sistemi të prishur të trashëguar nga vitet e korrupsionit. Ne as nuk do të mbyllim një sy dhe as nuk do të mbrojmë. E kuptojmë zhgënjimin, njerëzit kërkojnë drejtësi dhe do ta marrin", theksoi Miteva.
E pyetur se cilat tre objekte nuk funksiononin siç duhet, por kishin licenca, ajo u përgjigj se do të donte të përmendte qytetet dhe objektet, por se në këtë moment këto janë informacionet, me të cilat disponon.
Lidhur me informacionet se pronarët e objekteve të tilla po ndërhyjnë dhe po heqin inventarin për të fshehur gjurmët e funksionimit të tyre, zëdhënësja u përgjigj se "informacione të tilla dhe spekulime po qarkullojnë" dhe se të gjitha do të kontrollohen.
Në pyetjen nëse janë kontrolluar kushtet teknike në diskotekën "Pulse"në Koçan, e cila ka licencë operimi që nga viti 2023, që është pjesë e planeve vjetore të Inspektoratit të Tregut, ajo tha se kjo është pikërisht pjesë e hetimeve dhe nuk mund të japë detaje.
"Dëshiroj të ndaj të dhëna se si është vepruar me planin e punës ndër vite, por planet e punës janë pjesë e hetimit dhe nuk mund të them asgjë më tej për të mos e prishur atë", u përgjigj Miteva.
Lidhur me ekipimin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe nëse ka staf të mjaftueshëm për mbi dhjetë ekipe në terren, zëdhënësja tha se në grupet e kontrollit janë edhe ekspertë nga institucionet tjera kompetente, përfshirë MPB-në, punëtorë me përvojë në ndërtim, nga Inspektorati i Punës, Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Policia Financiare, siç tha ajo, "të gjithë që mund të kontribuojnë në përcaktimin e kushteve".
Në pyetjen se a do të kontrollohet puna dhe kushtet e objekteve të tjera gastronomike, përveç kabareve, lokaleve të natës dhe diskotekave, Miteva u përgjigj se ato me licencë janë ato që janë duke u inspektuar sepse "nga aty ka nisur e gjithë situata". mb/