• e hënë, 23 dhjetor 2024

Tre kandidatë për funksionin presidencial të Letonisë

Tre kandidatë për funksionin presidencial të Letonisë

Riga, 31 maj 2023 (MIA) - Deputetët e Parlamentit njëdhomësh (Sejm) të Letonisë sot do të votojnë për presidentin e ri.

Kreu aktual i shtetit, Eglis Levits, nuk kandidon për mandat të dytë dhe do ta kryejë funksionin deri më 8 korrik, njoftoi DPA.

Për funksionin më të lartë shtetëror në republikë ka tre kandidatë. Në garë për këtë funksion janë 42 vjeçarja Elina Pinto, eksperte në administratën publike dhe aktiviste e diasporës letoneze në Evropë, arkitetkti, biznesmeni dhe politikani 66 vjeçar Uldis Pilens dhe 49 vjeçari Edgars Rinkeviks, ministër i Punëve të Jashtme në kabinetin aktual.

Sipas analistëve, asnjë nga kandidatët nuk ka mjaftueshëm mbështetje në Parlament.

Presidenti zgjidhet me shumicë absolute të votave të deputetëve (51 vota nga 100) për një mandat katër vjeçar. Nëse në raundin e parë nuk përcaktohet fitues, në të njëjtën ditë mund të thirret një votim i dytë me pjesëmarrjen e dy kandidatëve të parë.

Nëse edhe atëherë nuk zgjidhet presidenti, procesi i nominimit do të rifillojë dhe zgjedhjet do të shtyhen për muajin e ardhshëm.

Presidenti i Letonisë ka kompetenca të kufizuara. Ai është përfaqësues i shtetit në skenën ndërkombëtare dhe komandanti suprem i Forcave të Armatosura, ka të drejtë të falë, të propozojë një kandidat për kryeministër, mund të thërrasë dhe të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë. Kreu i shtetit ka të drejtë të zbatojë një nismë legjislative dhe të kthejë për rishikim ligjet e miratuara nga Sejmi. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR