• e hënë, 30 mars 2026

Trampi shqyrton mundësinë e dërgimit të ushtrisë për të sekuestruar uraniumin e Iranit

Trampi shqyrton mundësinë e dërgimit të ushtrisë për të sekuestruar uraniumin e Iranit

Uashington, 30 mars 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp po shqyrton një mision ushtarak në Iran për të sekuestruar gati 400 kilogramë uranium shumë të pasuruar - transmeton "Uollstrit xhurnall".

Gazeta citoi dje zyrtarë amerikanë të kenë thënë se Trampi hëpërhë po vlerëson se sa e rrezikshme do të ishte kjo për trupat tokësore të nevojshme për operacionin, transmeton DPA.

Trampi është përgjithësisht i hapur ndaj idesë, bën të ditur gazeta, sepse një operacion i tillë ushtarak mund të ndihmojë në arritjen e qëllimit të tij kryesor - parandalimin e Iranit që ndonjëherë të prodhojë armë bërthamore.

Megjithatë, do të ishte një mision kompleks dhe i rrezikshëm që forcat e armatosura amerikane duhet ta zbatojnë në vend për disa ditë ose më shumë.

Para se Izraeli dhe SHBA të kryenin sulme ajrore ndaj Iranit në qershor të vitit të kaluar, duke bombarduar tre objekte bërthamore, vendi posedonte më shumë se 400 kilogramë uranium me një pastërti prej 60 për qind, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB). Për të ndërtuar armë bërthamore, kërkohet një pastërti prej më shumë se 90 për qind.

Uraniumi shumë i pasuruar ka të ngjarë të jetë i vendosur kryesisht në tunele dhe depo nëntokësore në centralet bërthamore të Isfahanit dhe Natancit, të cilat u bombarduan nga SHBA dhe Izraeli qershorin e kaluar, sipas drejtorit të ANEB, Rafael Grosi.

Trampi ka inkurajuar këshilltarët e tij që të bëjnë presion mbi Iranin që të pranojë të dorëzojë materialin si kusht për përfundimin e luftës, citon "Uollstrit xhurnall" një burim anonim.

Trampi ka bërë të qartë në bisedimet me aleatët se iranianët nuk mund ta mbajnë uraniumin. Ai ka folur gjithashtu për sekuestrimin e tij me forcë nëse Irani nuk pajtohet.

Ai madje mbrëmë u tha gazetarëve se Irani duhet të përmbushë kërkesat e SHBA-së, përndryshe "nuk do të ketë shtet", sipas raportimeve të medias për bisedën e tij me gazetarët.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR