Trampi pretendon se numri i pengjeve të gjalla në Gaza është 21, ndërsa Izraeli mbetet i qëndrimit se ende janë 24
- Presidenti amerikan Donald Tramp, tha se numri i pengjeve të gjalla në Gaza është ulur prej 24 në 21, ndërsa përfaqësuesit e Qeverisë izraelite përsëritën se numri zyrtar i pengjeve për të cilët besohet se janë të gjallë është ende 24.
- Post By Sara Ademi
- 11:18, 7 maj, 2025
Uashington/Tel Aviv, 7 maj 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp, tha se numri i pengjeve të gjalla në Gaza është ulur prej 24 në 21, ndërsa përfaqësuesit e Qeverisë izraelite përsëritën se numri zyrtar i pengjeve për të cilët besohet se janë të gjallë është ende 24.
"Sot numri i pengjeve të gjallë është 21. Tre prej tyre kanë vdekur", u tha Trampi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, por nuk dha detaje se si vdiqën tre pengjet, shkruan "Tajms of Izrael".
Trampi e bëri këtë koment pasi gruaja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, Sara Netanjahu, tha javën e kaluar se numri i pengjeve të gjallë nuk ishte 24, duke shkaktuar zemërim midis familjeve të pengjeve të cilat nuk ishin në dijeni të informacionit të ri.
Dy ditë pas deklaratave, Trampi tha se numri i pengjeve të gjallë në Gaza nuk ishte 24, por nuk e specifikoi numrin e saktë në atë kohë.
Pasi Trampi dha vlerësimin e tij, zyrtari i pengjeve të qeverisë izraelite, Gal Hirsh, njoftoi në mediat sociale se lista zyrtare e Izraelit përfshinte ende 24 pengje të gjallë.
Sipas burimeve të afërta me situatës, ndryshimi në numra mund të jetë për shkak të faktit se Izraeli mund të ketë informacione që tregojnë se disa nga pengjet kanë vdekur ose se ata ende nuk e kanë marrë informacionin gjatë sulmeve të fundit.
Megjithatë, derisa vdekja të konfirmohet përfundimisht, pengjet konsiderohen zyrtarisht gjallë.
Sipas Hirsh, Hamasi aktualisht po mban 59 pengje, 24 prej të cilëve zyrtarisht janë të listuar si të gjallë, ndërsa 35 pengje që janë në listë, vdekja e të cilëve është konfirmuar zyrtarisht.
Familjet e pengjeve, të pakënaqura me faktin se shpesh marrin informacione për të afërmit e tyre nga media, po kërkojnë që autoritetet izraelite t'u japin menjëherë informacion të përditësuar.
Megjithatë, Hirsh theksoi se zyra e tij komunikon rregullisht me familjet e pengjeve dhe është gjithmonë në dispozicion për përditësime dhe shpjegime. sa/
foto: Arkivi i MIA-s