Trampi pas takimit me presidentin Si: Takimi ishte i jashtëzakonshëm, u morën shumë vendime
- - Presidenti amerikan Donald Tramp dhe presidenti kinez Si Xhinping biseduan për më shumë se 90 minuta në një takim të mbajtur sot në Busan të Koresë së Jugut, pas të cilit Tramp tha se "takimi me Si ishte i jashtëzakonshëm" dhe se u morën shumë vendime, njoftuan mediat amerikane.
Busan, 30 tetor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp dhe presidenti kinez Si Xhinping biseduan për më shumë se 90 minuta në një takim të mbajtur sot në Busan të Koresë së Jugut, pas të cilit Tramp tha se "takimi me Si ishte i jashtëzakonshëm" dhe se u morën shumë vendime, njoftuan mediat amerikane.
Liderët e dy ekonomive më të mëdha në botë, të cilat janë të bllokuara në një luftë tregtare disamujore, shtrënguan duart dhe bënë deklarata të shkurtra për gazetarët para takimit me dyer të mbyllura, gjatë të cilit Trump tha se ka marrëdhënie të mira me presidentin Si.
"Do të kemi një takim shumë të suksesshëm, nuk kam dyshim. Por ai është një negociator shumë i vështirë. Kjo nuk është mirë", tha Tramp përpara takimit të tij të parë ballë për ballë me Si pas gjashtë viteve.
Si tha para takimit se negociatorët tregtarë nga të dy vendet kanë bërë përparim në zgjidhjen e "çështjeve të mëdha" dhe se ai beson se SHBA-ja dhe Kina duhet të jenë "partnerë dhe miq".
“Duke pasur parasysh kushtet tona të ndryshme kombëtare, ne nuk biem gjithmonë dakord dhe është normale që dy ekonomitë kryesore të botës të kenë tensione herë pas here”, tha Si, i cili gjithashtu vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë “përgjithësisht të qëndrueshme”.
Pas një ore e 40 minuta, Si dhe Trampi dolën nga ndërtesa, shtrënguan duart dhe u ndanë për në autokolonat e tyre përkatëse, pa bërë asnjë deklaratë për shtypin, dhe kështu Trampi e përfundoi turneun e tij aziatik.
Në deklaratën që e bëri në aeroplanin presidencial duke u kthye në Uashington, Trampi u tha gazetarëve se "takimi me presidentin Si ishte i jashtëzakonshëm" dhe se janë marrë shumë vendime.
Ai konfimroi se tarifat për mallrat kineze që eksportohen në SHBA do të zvogëlohen dhe se ai do të vizitojë Kinën në prill të vitit të ardhshëm, kurse Si do të vizitojë Shtetet e Bashkuara "disa kohë pas kësaj".
Trampi tha se është arritur një marrëveshje që Pekini do të punojo “shumë” për të parandaluar hyrjen e fentanilit në Shtetet e Bashkuara dhe se është biseduar për çipat gjysmëpërçues.
"Në një shkallë nga një deri në dhjetë, takimi me Si u vlerësua me 12. Ai është një lider i shkëlqyeri një vendi shumë të fuqishëm", tha Tramp.
Ai tha se blerja e naftës nga Rusia nga Tajvani dhe Kina nuk u diskutua gjatë bisedës.
Tramp tha se po i zvogëlon tarifat kineze për 10 pë rqind, me çka totali i tarifave të SHBA-së për mallrat kineze do të arrijë 47 për qind, dhe se ai dhe Si kanë "arritur në përfundim për shumë gjëra", megjithëse nuk njoftoi një marrëveshje tregtare.
Ai tha se Kina, e cila sapo ka rifilluar blerjen e sojës amerikane pas muajsh bojkotimi të saj, do të blejë "sasi të mëdha, shumë të mëdha soje dhe produkte të tjera bujqësore".
Tramp shtoi se Kina nuk do të vendosë “asnjë pengesë” për mineralet e saj të rralla të tokës, të cilat janë thelbësore për prodhimin e teknologjive të përparuara, dhe do të shtyjë zbatimin e kontrolleve të eksportit për një vit.
Tramp tha se është "shumë i zënë" për t'u takuar me liderët e Koresë së Veriut Kim Xhong Un gjatë udhëtimit të tij në Azi, i cili përfshinte vizitë në Malajzi, Japoni dhe Korenë e Jugut, por se është gati të kthehet.
Më parë, Trampi, duke paralajmëruar takimin me Si, deklaroi se pret që takimi të zgjaste me shumë gjasa tre deri në katër orë dhe se priste që bisedimet të "shkonin mirë" dhe se fokusi i takimit do të ishte përpjekja për të arritur një armëpushim në luftën tregtare midis SHBA-së dhe Kinës. ls/
Foto: EPA