• e shtunë, 14 qershor 2025

Trampi: Parandaluam një konflikt bërthamor midis Indisë dhe Pakistanit

Trampi: Parandaluam një konflikt bërthamor midis Indisë dhe Pakistanit

 Uashington, 12 maj 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Trampi deklaroi se ka parandaluar një "konflikt bërthamor" midis Indisë dhe Pakistanit pasi të dyja vendet të shtunën njoftuan një armëpushim, duke i dhënë fund konfrontimit të tyre më serioz në dy dekada, raportuan mediat franceze.

"Parandaluam një konflikt bërthamor. Mendoj se kjo mund të ishte një luftë e keqe bërthamore, miliona njerëz mund të ishin vrarë, kështu që jam shumë krenar", deklaroi Tramp para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. 

 Presidenti amerikan e përshëndeti faktin që qeveria e tij kishte ndihmuar në arritjen e një armëpushimi "të plotë dhe të menjëhershëm". Ai shprehu shpresë se armëpushimi do të jetë i qëndrueshëm, duke shtuar se ai i kishte dhënë fund "një konflikti të rrezikshëm midis dy vendeve me armë të shumëfishta bërthamore".

"Nëse ndaloni, do të bëjmë tregti; nëse nuk ndaloni, nuk do të tregtojmë", tha Trampi.

Sipas tij, tregtia është arsyeja kryesore që India dhe Pakistani të ndalojnë luftimet, shtojnë mediat britanike. 

India dhe Pakistani gjatë javës së kaluar ishin në prag të një lufte të re të hapur. Të dyja palët sulmuan njëra-tjetrën me dronë, bombarduan njëra-tjetrën me artileri dhe nisën sulme me raketa, kujtojnë mediat franceze.

Nuk kishte asnjë shenjë të zbutjes së armiqësive, por të shtunën pasdite Trampi i habiti të gjithë duke njoftuar se kishte arritur një "armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm" pas negociatave intensive diplomatike të udhëhequra nga nënpresidenti Xh. D. Uens dhe Sekretari i Shtetit Marko Rubio. 

 Nju Delhi dhe Islamabadi shpejt konfirmuan se kishin rënë dakord të zbatonin "drejtpërdrejt" kushtet e armëpushimit.

Ndërsa njoftoi marrëveshjen e arritur, Trampi përmendi diskutimet mbi një "zgjidhje për Kashmirin". Megjithatë, një burim nga qeveria indiane e hodhi poshtë shpejt një mundësi të tillë. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR