• e premte, 05 dhjetor 2025

Trampi për sulmet në Ukrainë: I dhanë arsye Putinit për të hyrë dhe për t'i bombarduar

Trampi për sulmet në Ukrainë: I dhanë arsye Putinit për të hyrë dhe për t'i bombarduar

Uashington, 7 qershor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se Ukraina vetvetiu e provokoi sulmin e armatës ruse në Harkov përmes operacionit ushtarak me emrin e koduar "Rrjeti i merimangës".

I pyetur nëse ky aksion ukrainas ka ndryshuar mendimin e tij për veprimet e presidentit Volodimir Zelenski, Tramp u përgjigj se ishte mu ky operacion që i dha arsye presidentit rus Vlladimir Putin për të nisur sulmet ajrore në qytetet ukrainase.

"Ata i dhanë Putinit arsye për të hyrë dhe për t’i bombarduar. Nuk më pëlqeu ai operacion. Kur e pashë, thashë: ‘Ja pra, tani do të fillojë sulmi’”, ka thënë Trampi.

Operacioni special "Rrjeti i merimangës" u krye nga Shërbimi ukrainas për siguri më 1 qershor dhe sulmoi aeroplanë strategjikë rusë në katër aeroporte. Shefi ukrainas i shërbimit, Vasil Maluk, tha se aksioni shkatërroi 34 për qind të bombarduesve strategjikë që mbanin raketa lundrimi në aeroportet kryesore ruse.

Sipas kolonelit Ants Kiviselg, shef i Qendrës së inteligjencës së Forcave mbrojtëse të Estonisë, objektivi i operacionit ukrainas kanë qenë aeroplanët Tu-95 që përgatiteshin për sulme ndaj Ukrainës.

Në përgjigjen e këtij aksioni, Rusia filloi sulme masive ndaj Ukrainës natën e 5-6 qershorit, duke përdorur më shumë se 400 dronë dhe 40 raketa balistike dhe kryqëzuese. Sulmet shkaktuan shumë viktima në civilë dhe dëme të mëdha infrastrukturore. Të nesërmen në mëngjes, forcat ruse nisën sulmin e tyre më të madh deri më sot në Harkov.

Foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR