Trampi në fotografinë në të cilën është paraqitur si Papë: Nuk u pëlqeu fejk mediave, katolikët e duan
- Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka hedhur poshtë shqetësimin se fotografia e tij si Papë i ardhshëm, e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, është fyese për katolikët.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 09:02, 6 maj, 2025

Uashington, 6 maj 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka hedhur poshtë shqetësimin se fotografia e tij si Papë i ardhshëm, e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, është fyese për katolikët.
Fotografia kontroverse u postua në llogarinë e Trampit në Trut të premten. Nuk dihet nëse e ka postuar ai apo prej ndonjërit prej bashkëpunëtorëve të tij. Fotografia shkaktoi reagime të ndara. Ish-kryeministri italian Mateo Renci tha se ishte "një fotografi që fyen besimtarët, fyen institucionet dhe tregon se udhëheqësi i së djathtës globale kënaqet duke qenë një klloun".
Timoti Dolan, Kryepeshkopi i Nju-Jorkut të cilin Trampi e rekomandoi për Papë javën e kaluar, dhe Konferenca Katolike e Shtetit të Nju-Jorkut shprehën gjithashtu pakënaqësi.
Në pyetjen për reagimin negativ të katolikëve ndaj fotografisë, Trampi u përgjigj: "Mos mendoni për katolikët, mendoni për mediat e lajmeve të rreme... Katolikët e adhurojnë (fotografinë)".
Ai deklaroi se nuk e ka parë fotografinë, e cila u nda edhe në X nëpërmjet llogarisë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, deri të dielën në mbrëmje. "Nuk kam asnjë ide se nga ka ardhur. Mund të jetë inteligjencë artificiale. Por, nuk di asgjë për të. E pashë madje mbrëmë. Në fakt, bashkëshortes time iu duk e këndshme. Pyeti, a nuk është e bukur?" tha Trampi.
Pasi javën e kaluar bëri shakase do të donte të ishte Papa i ri, tani ka deklaruar se ky pozicion nuk është në planet e tij. "Në fakt, nuk do të isha në gjendje të martohesha. Për aq sa di unë, papët nuk janë adhurues të mëdhenj të kurorëzimeve, apo jo? Jo, për aq sa dimë, nuk janë", theksoi ai.
Foto: Trut soshëll